Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë kthyer në Gjykatë, për akuzën që rëndon mbi ta rreth gjuajtjes së gazit lotsjellës në këtë institucion.
Albulena Haxhiu, Donika Kadaj, Faton Topalli dhe Albin Kurti akuzohen për veprën penale përdorim i armës dhe pengim i personit zyrtar, por në seancën e sotme gjyqësore kanë munguar Kurti dhe Kadaj, transmeton Koha.net.
Gjykata Themelore e Prishtinës kishte lëshuar urdhërarrest dhe kishte caktuar 1 muaj paraburgim për Kurtin në seancën e muajit prill. Për të shmangur tensione në kohën e fushatës, Gjykata e kishte pezulluar këtë fletë-arrest meqenëse Kurti ishte kandidat për kryeministër i VV-së.
Pos këtyre 4 deputetëve, ka të akuzuar të tjerë për gjuajtje të gazit lotsjellës, në mesin e tyre edhe nga partia e kryeministrit Ramush Haradinaj dhe partnerit të koalicionit, Nisma për Kosovën.


















