Deputetë nga Kosova e Shqipëria shkëmbejnë përvoja në luftimin e korrupsionit

E publikuar: 26/06/2018 11:38
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Abelard Tahiri ka pritur sot anëtarë të Komisionit Parlamentar të Republikës së Shqipërisë për Çështje Ligjore, Administratë Publike dhe të Drejtat e Njeriut.

Deputetët nga Shqipëria janë takuar edhe me Komisionin për Legjislacion, Komisionin për Administratë Publike të Kuvendit të Kosovës si dhe me Komisionin për të Drejtat e Njeriut.

Komisioni parlamentar i Kosovës për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit ka nënshkruar memorandum mirëkuptimi me Komisionin Parlamentar të Shqipërisë për Çështje Ligjore, Administratë Publike dhe të Drejtat e Njeriut, raporton EO.

Sipas memorandumit, palët pajtohen që të jenë pjesë e një bashkëpunimi të ngushtë për shkëmbimin e përvojave që plotësojnë kuadrin institucional në luftën kundër korrupsionit, rreth funksionimit të agjencive kundër korrupsionit që mbulojnë fushën e deklarimit të pasurive dhe konfliktin e interesave.

Gjithashtu, ky memorandum parasheh shkëmbimin e përvojave rreth funksionimit të këshillave gjyqësore dhe prokuroriale.