Gjykata Themelore në Prishtinë, e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me 30 vite burgim të akuzuarin Gëzim Retkoceri, për akuzën se vrau tani të ndjerin N.H, në prill të vitit 2009 në Lipjan.
Aktgjykimi ndaj të akuzuarit Retkoceri u shpall të mërkurën, nga gjykatësi Vesel Ismaili.
Sipas aktgjykimit, në dënimin me burgim, të akuzuarit Retkoceri do t’i llogaritet edhe koha e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.
Të njëjtit i konfiskohet në mënyrë të përhershme vetura e tipit “Golf 2”.
Pala e dëmtuar udhëzohet në kontest civil. Kurse, kundër këtij aktgjykimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese pas plotfuqishmërisë së tij.
Retkoceri akuzohej se më 29 prill 2009, së bashku me një person të panjohur me nofkën “Qeli”, e kishin privuar nga jeta tani të ndjerin N.H, ashtu që pas rrëmbimit të ndjerin e kishin goditur me mjete të forta në kokë, duke ia lidhur këmbët dhe duart, e ku më pas viktimës ia kishin djegur trupin me qëllim të fshehjes së gjurmëve, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në këtë rast, i akuzuar për vrasje të rëndë në bashkëkryerje ishte edhe Osman Spahiu, por pas ricilësimit në fjalën përfundimtare të shqyrtimit të kaluar gjyqësor nga ana e prokurores Fikrije Krasniqi-Fejzullahu, Spahiu ishte akuzuar për dhënien e ndihmës në kryerjen e kësaj vepre penale, për çka edhe e kishte pranuar fajësinë dhe ishte dënuar me 10 vjet burgim.
Ndërkaq, Retkoceri ishte dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 30 vitesh.
Aktgjykimi në këtë rast ishte shpallur nga Gjykata Themelore në Prishtinë, më 21 janar 2020, por që kundër këtij aktgjykimi ishte ushtruar ankesë nga mbrojtja dhe prokuroria.
Lidhur me këto ankesa, kolegji i Apelit kishte mbajtur seancën më 15 korrik 2020. Pas shqyrtimit të ankesave, kolegji i përbërë nga gjyqtarët, Tonka Berishaj, Driton Muharremi dhe Vaton Durguti, kishte vendosur që të aprovojë si të bazuar ankesën e mbrojtëses së të akuzuarit Retkoceri, avokates Kosovare Kelmendi kurse ankesat e prokurorisë dhe palës së dëmtuar i ka vlerësuar si jo lëndore tani për tani.
“Gjykata e Apelit më vëmendje ka shqyrtuar aktgjykimin e shkallës së parë, ankesën e mbrojtëses të të akuzuarit si dhe shkresat e lëndës dhe vlerëson se përsëri aktgjykimi i shkallës së parë në këtë rast penal është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale si dhe vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike”, thuhej në aktgjykimin e Apelit.
Sipas aktgjykimit të Apelit, duke qenë se kjo lëndë edhe njëherë tjetër ishte kthyer në rigjykim në shkallën e parë, kjo e fundit, sipas Apelit, në masë të madhe nuk i kishte përfillur udhëzimet e dhëna nga gjykata e shkallës së dytë.
Sipas vlerësimit të Apelit, shkalla e parë nuk ka dhënë arsye për faktet vendimtare duke pas kundërthënie në mes dispozitivit dhe aktgjykimit si pasojë e mosarsyetimit të secilës provë veç e veç dhe duke mos i ndërlidhur me njëra-tjetrën për të ardhur deri te një gjendje faktike e drejtë dhe e plotë.
Sipas Apelit, shkalla e parë nuk analizuar dhe vlerësuar provat si të vetme se çka vërtetojnë dhe të gjitha provat e ndërlidhura me njëra-tjetrën çfarë gjendje faktike vërtetojnë. Po ashtu, sipas aktgjykimit të Apelit, shkalla e parë nuk ka specifikuar veprimet inkriminuese të secilit të akuzuar në raport me kryerjen e eventuale të vrasjes.
Siç thuhet në aktgjykimin e Apelit, nuk janë dhënë arsye në aktgjykimin e shkallës së parë se ku janë marrë njollat e gjakut të cilave iu është bërë profili i ADN-së dhe të cilat rezultuan se i takojnë tani të ndjerit N.H. Pastaj, nuk është sqaruar çështja e gjetjes së bykut të drurit dhe nuk është sqaruar çështja e çekiçit gjegjësisht si ka arritur i njëjti në gjykatë dhe cila është rëndësia e të njëjtit në këtë çështje penale.
“Këto udhëzime të Gjykatës së Apelit edhe pse të detyrueshme për gjykatën e shkallës së parë nuk janë përfillur dhe të njëjtat kanë pasur edhe në aktgjykimin tjetër i cili është objekti i vlerësimit tani nga kolegji i kësaj gjykate”, thuhet në aktgjykimin e Apelit.
Në fund, Apeli thekson se gjykata e shkallës së parë ka lirinë e veprimit rreth vlerësimit të provave, ndërsa Gjykata e Apelit vetëm bën rivlerësimin e provave dhe nëse gjen gabime, vetëm në raste të jashtëzakonshme bën administrimin e provave me hapjen e shqyrtimit në shkallë të dytë. Në rastin konkret, Apeli thekson se ka gjetur se përshkrimi faktik nuk është bërë si duhet në aktgjykim dhe se arsyetimi është i pamjaftueshëm.
Ndryshe, ky rast ishte kthyer edhe më herët në rigjykim nga Gjykata e Apelit, më 4 maj 2016. Apeli kishte anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila më 7 korrik 2015, dy të akuzuarit për vrasjen e N.H, Gëzim Retkoceri dhe Osman Spahiu i kishte dënuar me nga 30 vjet burgim.
Me rastin e kthimit në rigjykim, Gjykata e Apelit, kishte konstatuar se Gjykata Themelore në Prishtinë kishte shkelur dispozitat e procedurës penale dhe se dispozitivi i aktgjykimit nuk ishte hartuar ashtu siç parashihet me Kodin e Procedurës Penale.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Retkoceri ngarkohej se më 29 prill 2009, me qëllim që vetes t’i sjellin dobi pasurore, së bashku me një person të panjohur me nofkën “Qeli”, e kishin rrëmbyer tani të ndjerin N.H, me qëllim që ta privojnë nga jeta.
Sipas aktakuzës, tani të ndjerin N.H e kishin goditur me mjete të forta në kokë, duke ia lidhur këmbët dhe duart, e kishin vrarë tani të ndjerin, pastaj e kishin dërguar në një lokacion ndërmjet fshatit Smallushë dhe Dobratin dhe për të fshehur gjurmët, e kishin djegur trupin e tij.