Dëmtohen mbishkrimet e Agjencisë “TIKA” në xhamitë e Prishtinës, reagon BIK-u

E publikuar: 02/08/2017 15:58
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Bashkësia Islame e Kosovës, ka njoftuar se mbrëmë persona të panjohur kanë atakuar e vandalizuar mbishkrimet e Agjencisë “TIKA” që janë të vendosura në muret dhe hapësirat e Xhamisë së Madhe dhe xhamisë Jashar Pasha në Prishtinë.

BIK e ka quajtur këtë akt të papranueshëm dhe të shëmtuar.

“Cenimi në çfarë do formë i objekteve fetare është akt i shëmtuar e i papranueshëm, ndërsa atakimi dhe përdhosja e emrit të Agjencisë “TIKA” e cila ka restauruar këto dy xhami monumentale të mbrojtura me ligj, përveç që është akt qyqar e veprim i ulët, për më tepër si i tillë është veprim i dëmshëm sepse nxit urrejtje, mos durim ndaj popullit mik turk, përkrahja e mbështetja e të cilit nuk ka munguar për asnjë çast”.

“Të përdhosesh mbishkrimin e një institucioni që ka restauruar monumentet e trashëgimisë materiale përveç që është vepër e dënueshme ngërthen në vete edhe veti të mosmirënjohjes dhe përbuzje për partnerët e miqtë tanë ndërkombëtarë – për ata që na ndihmuan, përkrahen e mbështetën, gjë që nuk është virtyt e as vlerë e populli tonë”, thuhet në reagimin e BIK-ut.

Bashkësia Islame e Kosovës, ka thënë se edhe me këtë rast i shprehim mirënjohje TIKA-së, për projektet që ka realizuar dhe po realizon anë e këndë Kosovës, e në të njëjtën kohë shprehim keqardhje që individ të caktuar kanë përdhosur emrin dhe logen e tyre. Aktet e veprimet e tilla të liga i dënojmë fuqishëm dhe në të njëjtën kohë kërkojmë nga organet kompetente që kryesit e këtyre akteve të turpshme të zbulohen dhe sa më parë të sillen para drejtësisë.