Demolli e Rama priten me nderime të larta në Kroaci

E publikuar: 24/03/2015 17:07
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli dhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama janë pritur sot më nderime të larta shtetërore në kryeqytetin e Kroacisë në Zagreb.

Fillimisht ministri Demolli dhe ministri kroat i Mbrojtjes Ante Kotromanoviq parakaluan para Gardës ceremoniale dhe nderuan himnet shtetërore të dyja vendeve, Kosovës dhe Kroacisë.

Sipas një komunikate nga Ministria e FSK-së ministri Demolli dhe ministri Kotromanoviq zhvilluan takim kokë me kokë ku u diskutuan një varg çështjesh që kanë të bëjnë me fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes të të dyja vendeve.

Më pas u zhvillua takim i përbashkët i të dyja delegacioneve, në të cilin u fol mbi bashkëpunimin e suksesshëm ndërmjet ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Ministrisë së Mbrojtjes të Kroacisë si dhe gatishmërinë e të dyja palëve për thellimin e bashkëpunimit në të ardhmen.

Komunikata e FSK-së njofton se gjithashtu në Ministrinë e Mbrojtjes u nënshkrua edhe plani bilateral i bashkëpunimit për vitin 2015, ndërmjet ministrisë për FSK dhe ministrisë të Mbrojtjes të Kroacisë.

Kjo është vizita e parë zyrtare e delegacionit të ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, në Republikën e Kroacisë, prej që ministri Haki Demolli dhe komandanti, gjeneral Rama kanë marrë drejtimin e ministrisë për FSK dhe FSK-në.

Image