Në vitin 1998-99, ShBA-ja kishte ofruar status të përkohshëm të mbrojtur për banorët e Kosovës, që gjendeshin në ShBA në mes të luftës në vitin 1998.
E mbrojtje të ngjashme, ligjvënësit demokratë po i kërkojnë presidentit Joe Biden të ndërmarrë edhe për palestinezët në Shtetet e Bashkuara, ndërsa forcat izraelite vazhdojnë të luftojnë militantët e Hamasit brenda qytetit të Gazës dhe mijëra nga ta largohen nga zona mes rrethanave gjithnjë e më të rënda humanitare.
Në një letër drejtuar Bidenit të mërkurën, demokratët bëjnë thirrje për miratimin e mbrojtjeve të përkohshme për palestinezët përmes programeve qeveritare që mbrojnë emigrantët nga kthimi në vendet që janë shkatërruar nga fatkeqësitë natyrore ose lufta. Ligjvënësit përmendin numrin në rritje të vdekjeve në Gaza, veçanërisht në mesin e fëmijëve, nga lufta njëmujore mes Izraelit dhe Hamasit dhe mungesës së ushqimit dhe ujit.
“Në dritën e konfliktit të armatosur që po vazhdon, palestinezët tashmë në Shtetet e Bashkuara nuk duhet të detyrohen të kthehen në territoret palestineze, në përputhje me angazhimin e deklaruar të Presidentit Biden për mbrojtjen e civilëve palestinezë”, shkruan ligjvënësit në letrën që iu dha Associated Press përpara publikimit të saj.
Letra është një përpjekje e dukshme nga demokratët për të mbrojtur palestinezët, në një kohë kur republikanët kryesorë, përfshirë ish-presidentin Donald Trump kanë bërë thirrje që ShBA-ja të bllokojë palestinezët që përpiqen t’i shpëtojnë luftës në Gaza.
Muajin e kaluar, ndërsa bënte fushatë në Iowa, Trump kërcënoi se do të zgjeronte ndalimin e udhëtimit për myslimanët që ai e ndërmori përmes një urdhri ekzekutiv gjatë presidencës së tij. Guvernatori i Floridës, Ron DeSantis tha se ShBA nuk duhet të pranojë asnjë refugjat palestinez që përpiqet të largohet nga Gaza, sepse, këmbënguli ai, ata “janë të gjithë antisemitë”.
Ligji amerikan u jep autoriteteve një liri veprimi të gjerë për të ndaluar hyrjen e njerëzve nëse paraqesin rreziqe sigurie. Rastet e kalimit ilegal të ekstremistëve në ShBA janë gjithashtu praktikisht inekzistente.
Kërkesa e demokratëve për Bidenin do të zbatohej vetëm për palestinezët që janë tashmë në Shtetet e Bashkuara.
Sipas Departamentit të Shtetit, ShBA-ja lëshoi rreth 7200 viza të përkohshme për personat me pasaporta të Autoritetit Palestinez në vitin 2022. Duke treguar këtë shifër, demokratët argumentuan se “numri i përfituesve do të ishte i vogël, ndërsa përfitimi mund të ishte jetëshpëtues”.
Statusi i Mbrojtur i Përkohshëm është një program përmes Departamentit të Sigurisë Kombëtare që ofron qëndrim të përkohshëm, duke përfshirë mundësinë për të punuar, për qytetarët jo-amerikanë që aktualisht gjenden në ShBA, vendet e të cilëve konsiderohen shumë të rrezikshme për t’u kthyer.