I ftuar në Orën e Fundit sonte nga Drenasi ishte deputeti nga PDK-ja njëherësh kryetar i Komisionit për Siguri, Fadil Demaku.
Me Demakun nga Drenasi është diskutuar në lidhje me gjetjen e eksplozivit pranë xhamisë ku imam është Osman Musliu.
Ai tha se është ndier keq nga ky lajm që në Drenas është gjetur një qantë me eksploziv.
“Si gjithë qytetarët e vendit ky është një lajm që nuk mund ta pritesh ndryshe përveç se keq, e ndihem keq që në vendin tonë, qytetin tim, ndodh një akt i tillë i dënueshëm”.
Demaku nuk ka dhënë ndonjë mendim në lidhje me qëllimin e këtij veprimi dhe nuk ka dashur të bëjë cilësime nëse ky akt ka qenë terrorist.
“Nuk mund të bëjë ndonjë hipotezë, përderisa organet e rendit nuk kanë dal me një vendim zyrtar, e ata duhet ta bëjnë që ta opinion të jetë i informuar saktë”.
Demaku që është vet nga ky qytet i ka bërë thirrje organeve të drejtësisë që sa më shpejt ta zgjidhin këtë rast.
“Ky rast lë shumë dilema, gjithmonë kam fol me mburrje për një qytet që ka jashtëzakonisht tolerancë, e unë kërkoj me këmbëngulje që organet të punojnë që ta zbardhin këtë rast”.
Por sipas tij një veprim të tillë mund ta bëjnë vetëm persona që nuk i’a duan të mirën vendit.
“Janë gjëra jashtëzakonisht të rrezikshme, të cilat krijojnë terren nga grupe dhe interesa të ndryshme që mund të jenë armiq të këtij vendi”.
Ai ka thënë se të gjithë politikanët duhet të reflektojnë sepse në momente të tilla po shfrytëzohen nga persona që nuk i’a duan të mirën vendit.
“Të gjithë akteret politik duhet t’i thërrasim mendjes e të jemi të kujdesshëm sepse kur krijohen situate të ndjeshme çdo kush nga çdo kënd mund të krijojë vend për situata të tilla”.
Demaku ka thënë se Drenasi është nga të vetmet komuna që asnjë qytetar nuk ka shkuar për luftë në Siri, mirëpo ai ka thënë se nuk duhet të ndihen të parrezikuar.
“Ky rajon, kjo komuna ka pasur një lloj stabiliteti e qetësie, e përderisa ky rast ka ndodhur këtu ne nuk mund të themi duke marr parasysh zhvillimet që kanë ndodhur e të jemi komod të themi që nuk jemi të privuar nga ndonjë rrezik”.