Demaj: 2 Korriku 1990 akt i rëndësishëm për parapërgatitjen e akteve politike dhe juridike që çuan në 17 Shkurtin e 2008-ës

E publikuar: 02/07/2020 19:14
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Historiani Frashër Demaj, ka thënë se 2 Korriku i 1990-ës është datë shumë e rëndësishme dhe akt shumë i rëndësishëm në zinxhirin e kateve tjera që i kanë paraprirë lirisë, pavarësisë dhe shtetndërtimit të Kosovës.

“Kosova kishte kompetenca gati sa republikat tjera të Jugosllavisë, kishte Këshillin, Kryesinë, Kryetarin dhe më e rëndësishmja e kishte Kuvendin që me 2 korrik 1990 mori  një veprim të rëndësishëm që sot kur kujtojmë këtë akt na del shumë i rëndësishëm për parapërgatitjen e akteve politike dhe juridike që çuan në 17 shkurtin e 2008-ës”, ka thënë Demaj, njofton Klan Kosova.

Demaj në Info Magazine ka thënë se kur Kosovës iu hoq autonomia dolën në mbrojtje minatorët me grevë, punëtorët e ndryshëm dhe nxënësit dhe studentët.

“Suprimimi i autonomisë në 1989 dhe mitingjet që mbante Millosheviqi trimëruan serbët lokalë që filluan presionin ndaj popullsisë civile. Pretendimi ishte për të bërë shtetrrethim në Kosovë”.

“Problemet e mëdha në Kosovë paralajmëruan shpërbërjen e Jugosllavisë dhe varianti i parë “Kosova pjesë e Federatës së Jugosllavisë” ishte e tejkaluar dhe duhej vepruar mençur politikisht sepse çdo veprim tjetër mund të kishte pasoja”.