“Literatura është problem në Universitet të Prishtinës dhe problemin më të madh e bënë që ne edhe nuk kemi fonde”
Synim i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, sipas rektorit Marjan Dema është transformimi nga universitet klasik në universitet që prodhon studentë që do ta bartin barrën e ndryshimit të Kosovës.
Rektori i UP-së, Marjan Dema ka thënë se janë të interesuar që ndryshimi i Kosovës të ndodhë nga studentët dhe jo të presin të ndodhë nga të tjerët.
I pari i UP-së ka thënë se që nga marrja e mandatit kanë krijuar standarde, kritere, norma përmes të cilave kanë dashur që Universitetin e Prishtinës ta bëjnë të barabartë për të gjithë.
E themelimi dhe implementimi i këtyre standardeve, sipas Demës ndihmojnë në luftimin e të keqes dhe të korrupsionit.
“Kjo na ka mundësuar që ta largojmë politikën, ndikimin politik nga Universiteti, avancimet dhe regjistrimet t’i kemi reale, sepse kemi zbatuar kriteret, t’i eliminojmë këtë vit nuk kemi më profesor i cili ose pranohet, ose avancohet me punime dhe revista jo kredibile, i kemi eliminuar”, ka theksuar rektori.
Dema ka bërë të ditur se përmes zyrës për hulumtime dhe projekte të sponsorizuara mendojnë të thithin dhe të gjenerojnë mjete prej fondeve të tjera, sipas tij ajo zyre do t’i ndihmojë profesorët të cilët kanë ide të aplikojnë për fonde të ndryshme.
Po ashtu, ai ka thënë se janë shumë të interesuar që të ndërrojnë formën që Universiteti i Prishtinës të varet vetëm prej buxhetit, pasi që sipas tij dëshirojnë të krijojnë buxhet me anë të hulumtimeve shkencore.
UP ka filluar trajnimet e profesorëve të rinj, por që do të trajnojnë të gjithë profesorët pasiqë sipas rektorit dëshirojnë t’i ikin metodës së vjetër të dhënies së mësimit frontal me një metodë që jep rezultate dhe që studenti lidhet me punën praktike.
Përveç këtyre sukseseve, sipas të parit të UP-së këtë universitet e kanë përcjellur edhe një numër i madh i sfidave.
Një nga problemet me të cilën përballën studentët e UP-së është edhe mungesa e literaturës, në shumë drejtime studentët mësojnë vetëm me anë të disa skriptave të bëra nga profesorët që ligjërojnë ato lëndë.
“Literatura është problem në Universitet të Prishtinës dhe problemin më të madh e bënë që ne edhe nuk kemi fonde. Ne si menaxhment nuk jemi shumë të interesuar që të investojmë në literaturë origjinale, për shkak se vështirë ne me potencialin që e kemi përpos disa lëmive të cilat janë historia nacionale, gjuhë dhe letërsi, por po flas më tepër për shkencat teknike, për mjekësi, për shkencat natyrore ku vërtet shkenca po shkon me hapa tepër të shpejtë. Ne jemi shumë të interesuar që fillimisht përmes ofrimit të materialeve studentëve ta zbusim këtë, jemi të interesuar që ta bëjmë ta kemi një e-library e cila na mungon. Por, mbi të gjitha jemi shumë të interesuar që të krijojmë fonde dhe t’i përkthejmë disa nga librat bazë për studime tona themelore nga gjuhët e huaja, nga gjuha angleze të cilat libra janë fjala e fundit e literaturës të cilën studentët tanë do ta shfrytëzojnë. Por, jemi shumë të int eresuar edhe kemi literaturë edhe anglisht, studentët tanë e dinë gjuhën angleze jemi shumë të interesuar që të orientohen edhe kah gjuhët e huaja, sepse ne po e dimë, globalizimi është një proces të cilit nuk mund t’i ikim dhe natyrisht që vetëm me gjuhën shqipe nuk mund të shkojmë larg”, ka thënë ai.
Prioritet për vitet në vazhdim rektori i UP-së, Marjan Dema ka thënë ta kenë krijimin e qëndrueshmërisë së gjithë asaj që e kanë bërë deri më tani./rtv21/

















