Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu Kodra ka përkrahur protestën e veteranëve të UÇK-së, duke thënë se nuk mund të financohen nga shteti projektet të cilat sipas saj, kanë për qëllim ta devalvojnë dhe ta degradojnë përpjekjen tonë për liri e shtetformim.
Deliu-Kodra në një intervistë për Ekonomia Online tregoi se sot është takuar edhe me ish të burgosurit, të cilët kanë qenë në burgun e Dubravës.
E para, për t’i dhënë mbështetje protestës, të cilën edhe Partia Demokratike e Kosovës e ka mbështetur. Mendoj që është e drejtë dhe legjitime që ish-ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por edhe qytetarët, të cilët janë ndjerë absolutisht tepër keq me mënyrën se si është portretizuar narracioni për të burgosurit politikë. Unë sot kisha rast të takoj edhe ish-të burgosurit, të cilët kanë qenë në burgun e Dubravës. Pra, mënyra se si ata janë shpërfaqur—një ekspozitë të cilën e ka paguar dhe e ka financuar shteti i Kosovës—bie ndesh me të gjithë kauzën tonë për liri dhe përpjekjet shekullore të popullit shqiptar për të qenë të lirë. Pra, i ndihmon narrativit të Serbisë dhe është e pafalshme që e njëjta është bërë me financimin e shtetit. Pra, jo vetëm ekspozita, edhe një libër i cili është financuar me paratë e taksapaguesve të Kosovës, e që e lëndon thellë narracionin tonë për liri dhe përpjekjet shekullore të shqiptarëve që Kosova të jetë shtet i lirë dhe i pavarur”, ka thënë ajo.
Ajo, ka kërkuar nga Prokuroria të marrë masa edhe ndaj atyre të cilët kanë financuar projekte e së sipas saj cenojnë shtetin e Kosovës.
“Dëgjoni, nuk mund të financohen projekte të cilat e kanë për qëllim që ta devalvojnë dhe ta degradojnë përpjekjen tonë për liri e shtetformim. Këta janë veteranë, ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët kanë dhënë gjymtyrët e tyre për Kosovën shtet. Në këto ditë kemi muajt e përkujtimeve dhe sakrificave, të masakrave të panumërta që kanë ndodhur në Kosovë, dhe shteti nuk guxon që të financojë projekte të cilat i shërbejnë narrativit dhe narrativës së Serbisë. Për këtë duhet të ketë përgjegjësi. Unë uroj shumë që prokuroria të marrë masa dhe të kemi po ashtu ndjekje ndaj atyre të cilët kanë financuar projekte të cilat cenojnë shtetin e Kosovës”, ka shtuar Deliu-Kodra.


















