Delegacioni serb: Arrihet marrëveshja për telekomunikim

E publikuar: 25/08/2015 18:40
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Anëtari i delegacionit të Serbisë, Dragan Vasileviq, ka thënë se në takimin e delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, është arritur marrëveshja për telekomunikim, ndërsa priten që në bisedimet tejet të vështira, megjithatë “në pako” të arrihen edhe marrëveshjet për Asociacionin e komunave me popullatë shumicë serbe, për energjetikën dhe “Parkun e paqes”, raporton Agjencia Beta nga Brukseli.

Deri në këto momente delegacioni i Kosovës nuk e ka konfirmuar arritjen e marrëveshjes.

Për këtë marrëveshje të telekomunikimeve, zoti Vasileviq, tha se delegacioni i Beogradit është “shumë i kënaqur sepse Serbia do ta ketë kompaninë e saj” në Kosovë.​

Kryeministrat e Kosovës dhe të Serbisë, Isa Mustafa dhe Aleksandar Vuçiq, sot kanë nisur një rreth të ri të bisedimeve, me ndërmjetësimin e shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.

Ky rreth i bisedimeve është thirrur në prag të samitit të Vjenës, ku liderët e Ballkanit Perëndimor do të takohen me liderët e vendeve kryesore të Bashkimit Evropian, në mesin e tyre kancelarja gjermane, Angela Merkel.

Zyrtarët evropianë kanë thënë se presin që kësaj radhe përfundimisht të ketë marrëveshje, transmeton rel.

Përparimi në dialog, përkatësisht në normalizimin e marrëdhënieve, është kusht edhe për Kosovën, edhe për Serbinë që të avancojnë drejt integrimit në BE.

Lexoni edhe këtë:​
Prishtina dhe Beogradi me mospajtime para takimit të radhës