Një delegacion i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE), pas vizitës që ka zhvilluar në Kosovë ka vlerësuar përgatitjet për zgjedhjet e 9 shkurtit, teksa i ka bërë thirrje të gjitha partive politike se pavarësisht polarizimit në rritje, të veprojnë me përgjegjësi për të mirën e popullatës.
Ky delegacion ka ngritur shqetësimin për procedurën e emërimeve të reja në Komisionin e Pavarur të Mediave dhe bojkotit që Lëvizja Vetëvendosje ia ka bërë tri stacioneve televizive në vend.
“Ngurrimi i disa partive politike për t’u përfshirë në debate kontradiktore në televizion dhe bojkoti i shpallur i tri stacioneve televizive të njohura nga partia në pushtet, u konsideruan të dëmshme për informimin publik, veçanërisht për të moshuarit”.
“Delegacioni kujton se media luan një rol jetik për të siguruar që votuesit të kenë qasje në informacione të ndryshme dhe të sakta, të cilat janë thelbësore për marrjen e vendimeve”, thuhet në komunikatë, transmeton Klankosova.tv.
Delegacioni i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, shqetësime pati edhe për rritjen e retorikës populiste dhe nacionaliste por edh për përdorimin e gjuhës së urrejtjes dhe gjuhës përçarëse.
“Delegacioni vlerësoi gjithashtu kontributin e vlefshëm të një shoqërie civile të gjallë në nxjerrjen në pah të çështjeve si të drejtat e grave, personave me aftësi të kufizuara, LGBTI dhe grupet e margjinalizuara si dhe pjesëmarrja e të rinjve në politikë”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.
Delegacioni u bëri thirrje të gjitha palëve që të mbeten të përkushtuara për krijimin e kushteve për zgjedhje të drejta dhe gjithëpërfshirëse, pavarësisht polarizimit në rritje dhe të sigurojnë që këto zgjedhje të kontribuojnë në forcimin e standardeve dhe praktikave demokratike në Kosovë.