Një delegacion i lartë i parlamentit gjerman që po qëndron në Kosovë, vizitoi disa kompani gjermane që punojnë në Kosovë, raporton KTV.
Por, në vend të mirëseardhjes, delegacioni u gjet në terr nga mungesa e energjisë që u ndal, po në momentin që hynë në objekt.
Mbi një orë zgjati takimi i delegacionit gjerman i udhëhequr nga sekretari shtetëror parlamentar i Ministrisë për Bashkëpunim Ekonomik të Gjermanisë Hans – Joachim Fuchtel me bashkëkombësit e tij që kanë investuar në vendin tonë.
Ai vizitoi të gjithë fabrikën, ku u njoftua me punën që po bëhet dhe planet e investitorit gjerman për të ardhmen.
Por, i njëjti nuk doli fare i kënaqur nga informatat që i mori aty.
“Këta dy pionierë janë në fushën që ne i quajmë ndërmarrje të vogla dhe të mesme. Për qeverinë tonë është e rëndësishme të dimë se çfarë përvojash kanë kaluar ata.
Këta për shembull kanë nevojë t’u tregohet paraprakisht se kur do të ndalet rryma në mënyrë që të mos kenë dëmtime siç ka pasur më herët dhe që problemet e tilla të zgjidhen”, ka thënë Hans – Joachim Fuchtel, sekretar shtetëror parlamentar i Ministrisë për Bashkëpunim Ekonomik.
Fuchtel ka pranuar se Kosova vazhdon të ketë imazh negativ në Gjermani, por ka thënë se mund të ndryshohet.
“Kemi një numër të madh të vendësve tuaj që jetojnë legalisht atje dhe kontribuojnë për një imazh të mirë të vendit. Kjo duhet të shfrytëzohet në mënyrë që ky imazh i keq të ndryshohet. Njëra prej këtyre rrugëve është përmes zotërinjve këtu që kanë investuar në Kosovë nëpërmjet një inxhinieri nga vendi juaj. Këto gjëra duhet të dëgjohen dhe administrata duhet t’i mbështesë, në mënyrë që prej kësaj të dalin gjëra të mira”, ka thënë ai.
Njëri nga pronarët e fabrikës së vetme në Ballkan për prodhimin e ashensorëve ka adresuar ankesa për mospërkrahje.
“Problemi i madh është Dogana. Të tjerat firma e blejnë komplet ashensorin nga Turqia dhe nuk paguajnë doganë, kurse ne që blejmë pjesë për prodhimin e ashensorëve duhet të paguajmë. Sinqerisht dua të them se në këtë pikë askush nuk na ka ndihmuar. Vetë duhet t’i zgjidhim këto probleme. Në Kosovë bëhet thirrje të vijnë të investojnë, por pasi nis të realizohet investimi, askush nuk u ndihmon”.
Përkundër pakënaqësive, ai ka thënë të mos jetë duke menduar të ndërpresë biznesin në Kosovë, pasi investimi i partnerëve është bërë për shumë vjet.
Kjo fabrikë ka punëtorë të rregullt 40 persona, ndërsa gati 100% të pjesëve për ashensor i porosit te prodhuesit kosovarë.
Pas kësaj vizite, sekretari gjerman ka vizituar edhe disa kompani të tjera me pronarë gjermanë dhe ka paralajmëruar se të gjitha ankesat do t’ua adresojë udhëheqësve kosovarë.