Shtetet e Bashkuara të Amerikës do ta mbështesin Kosovën në luftimin e ekstremizmit të dhunshëm, ka deklaruar ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie. Këto komente, ambasadori amerikan i ka bërë në konferencën “angazhimi I shoqërisë civile kundër ekstremizmit të dhunshëm” që po mbahet në Prishtinë.
Delawie tha se nuk mund të dihen kurrë arsyet pse njerëzit lënë familjet e tyre dhe nisen drejt një bote të errët dhe të dhunshme të ekstremizmit. Por, ai menjëherë pas përmendi një nga faktorët, që ndërlidhet me papunësinë dhe mungesën e perspektivës për të ardhmen.
Krahas perspektivës për të ardhmen dhe zhvillimit ekonomik, Delawie tha se shoqëria duhet t’u siguroj alternativa më të mira të rinjve, të zhvilloj debatin kritik dhe edukimin dhe t’i mbajë larg nga ideologjitë e errëta që mund t’u ofrohen atyre.
“Duhet të punojmë bashkërisht për të ndërtuar një Kosovë transparente, të begatshme, gjithëpërfshirëse dhe pa korrupsion”, ka thënë Delawie, duke ripërsëritur se sundimi I rendit ligjor mbetet jetik për shtetin e Kosovës.