Delawie: Serbia duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës

E publikuar: 19/08/2022 14:35
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Serbia duhet të njohë pavarësinë e Kosovës nëse dëshiron të bëhet anëtare e vërtetë e familjes evropiane”.

Kështu ka thënë ish-ambasadori i ShBA-së, në Kosovë, Greg Delawie, në një intervistë për Zërin e Amerikës, në gjuhën serbe.

Delawie është shprehur se nëse Serbia do ta bënte një gjë të tillë, atëherë edhe Kosovë do të kontribuonte edhe më shumë për paqen në rajon.

Ish-ambasadori amerikan, e ka kritikuar Beogradin për të cilin ka thënë se po tenton të përfitojë nga brenda duke shkaktuar tensione në Kosovë.

“Unë sigurisht shpresoj kështu. Shumë varet nga veprimet e Beogradit – i cili e ka vënë veten në një pozicion për të kontrolluar tensionet. Fatkeqësisht, duket se Beogradi përfiton nga brenda duke shkaktuar tensione në Kosovë”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, të dyja vendet Kosova dhe Serbia, duhet t’i japin prioritet paqes dhe jo politikave të brendshme.

“Nëse të dyja vendet zgjedhin paqen dhe integrimin me Evropën si prioritete – atëherë ka vend për një marrëveshje. Megjithatë, nëse prioritet i jepet politikës së brendshme në vend të zgjidhjeve, bëhet e vështirë arritja e një marrëveshjeje”, është shprehur ish-ambasadori amerikan.

Delawie, e ka quajtur “çmenduri”, faktin që serbët e veriut, në Kosovë nuk e paguajnë energjinë elektrike.

“Është e paqartë nëse këto tema do të diskutohen. Megjithatë, mendoj se është çmenduri që qytetarët nga veriu i Kosovës nuk i kanë paguar faturat e rrymës me vite. Kjo ka ndikuar në humbjen e energjisë elektrike, dëmtimin e mjedisit përmes minierave të Bitcoin – që konsumon një sasi të madhe të energjisë elektrike”, është shprehur ai.

I pyetur për rolin e ShBA-së, në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ai tha se përkundër shumë sfidave siç janë lufta në Ukrainë, tensionet në Iran e kështu me radhë, prapë se prapë, qeveria amerikane është duke e përcjellë me vëmendje situatën në Kosovë.

“Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara në një sërë sfidash të rëndësishme të politikës së jashtme, si Ukraina dhe Rusia, Kina apo Irani. Pavarësisht, mendoj se ata janë ende të angazhuar në Kosovë dhe do të vazhdojnë ta bëjnë këtë. Bashkëpunimi i Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian për dialogun është i mirë dhe paraqet një avantazh të madh dhe mbështetje të madhe për zgjidhjet për t’i dhënë fund problemit të serbëve të Kosovës”, ka deklaruar Delawie.

Në fund, ish-ambasadori, Delaeiw ka thënë se Ballkani duhet të integrohet në Bashkimin Evropian, dhe çdo “status-quo” vetëm se do ta pengonte paqen në rajon dhe më gjerë.