Delawie: Ndryshimi i ligjit të Speciales mund ta izolojë Kosovën

E publikuar: 22/12/2017 17:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie ka thënë se ideja për të ndryshuar ligjin e Gjykatës Speciale mund të izolojë globalisht Kosovën.

“Ide e tmerrshme. Mos e ktheni mbrapa orën”, ka shkruar ai në një postim në llogarinë e tij në Twitter.

Reagimi i të dërguarit të Washingtonit në Prishtinë erdhi pas raportimeve për fillimin e mbledhjes së nënshkrimeve të deputetëve të Kuvendit të Kosovës për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme në të cilën do të shfuqizohej ligji për këtë gjykatë, transmeton Klan Kosova.

Kujtojmë se përfaqësuesit e organizatave të dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të mërkurën dorëzuan në Kuvend peticionin me anë të të cilit kërkojnë shfuqizimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.