Në kulmin e krizës politike, ambasadori amerikan Greg Delawie ka zhvilluar sot një takim me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila gjithashtu ka zhvilluar takim me kryeministrin Mustafa.
“Besoj se parlamenti është vend për diskutim e debat, e mospajtime, por jo vend i dhunës, armëve dhe shkatërrimit. Do të doja t’i inkurajoja të gjitha palët të marrin thellë frymë, të pyesin veten se sjelljet e tilla sa i shërbejnë të ardhmes evropiane, demokracisë apo rrezikimit të izolimit”, ka deklaruar Delawie pas takimit.
Burimet e afërta me takimin i kanë thënë KTV-së se brenda tij, Delawie ia ka bërë të qartë Presidentes se qeveria e tij pret zgjidhje sa më të shpejtë të situatës, dhe për këtë ajo mban përgjegjëse bashkë me opozitën edhe Presidenten dhe qeverinë e Kosovës.