Deklarohet Prokuroria për vrasjen e gruas në Prishtinë

E publikuar: 29/11/2023 23:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Prokuroria Themelore e Prishtinës njofton se po ndërmerren veprime hetimore për zbardhjen e rrethanave të vrasjes së gruas sonte në Prishtinë.

Në media u raportua se gruaja e vrarë në Prishtinë sonte nga hajnat është gruaja e Naim Murselit, këshilltarit të liderit të AKR-së dhe ish-presidentit, Behgjet Pacollit.

Kjo konfirmohet nga një dëshmi që vet Murseli e ka dhënë para hetuesve policorë.

Bazuar në deklaratën e Murselit që e ka dhënë para hetuesve policorë, i njëjti ka deklaruar se hajnat fillimisht iu kanë kërkuar gjërat me vlerë, duke marrë paratë dhe telefonat. Kjo situatë e tmerrshme dyshohet se e detyroi Murselin që t’i largojë fëmijët nga vetura, por aty mbeti bashkëshortja e tij, e cila fatkeqësisht u vra me armë zjarri.

 

Njoftimi i plotë:

Ju njoftojmë se me të marrë informatën nga policia, prokurori kujdestar ka dalë në vendin e ngjarjes, si dhe të gjitha njësitë relevante.

Nga informacionet preliminare dyshohet se si pasojë e të shtënave me armë zjarri ka ndërruar jetë një grua, ku vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor.

Nga vendi i ngjarjes janë duke u ndërmarrë veprime hetimore në koordinim me policinë, për t’i ndriçuar të gjitha rrethanat e këtij rasti.