Rrustem Mustafa – Remi është deklaruar për ngjarjen në Kumanovë por s’ka thënë pothuajse asgjë. Vetëm ka përmendur Stanishiqin dhe ka thënë se gazetarët s’po e kërkojnë të vërtetën por viktimën.
Postimi i Remit
Ndodhi çfarë nuk ndodhi. Gishtat akuzues drejtohen gjithandej, gishta të pastër e të përlyer.
Mediat garojnë të zbulojnë të vërtetën mbi ndodhitë makabre në Kumanovë. Ca të tjera, nuk kërkojnë të vërtetën, kërkojnë viktimën. Këto të fundit, me gazetarët e tyre të vyer e me miq gjithandej, madje me miq të zot si Stanishiqi, duan të kryqëzojnë atë që nuk arritën kurrë ta turpërojnë.
Ata ju hodhën vrullshëm emblemës shqiptare, pa pikë turpi derdhën vrerë mbi ikonën e luftës çlirimtare. Akuzuan Aliun për akte që përmbledhën në jo më pak se tradhti. Shtohet pyetja, përse Aliu do të tradhtonte kombin për të cilin ishte i gatshëm të flijohej!
A mos vallë aparatusi i mykur e i korruptuar maqedonas do të bënte një lloj ujdije me atë që njëherë e një kohë e kishte gjunjëzuar! Individët falin, shtetet as harrojnë as nuk falin. Andaj, lëreni simbolin rehat, merruni me të vërtetën kur ajo të ketë dalë në shesh. Lozni, përkdheluni e bëni çfarë të doni me miqtë tuaj gjithandej, ama mos guxoni të shtrembëroni të vërtetën, posaçërisht nëse për t’a shtrembëruar atë do fitoni ndonjë kredit nga Serbia e Maqedonia.