Deklaratat e Haradinajt për Vuçiqin, nxisin edhe reagimin e Rusisë

E publikuar: 03/05/2017 23:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deklaratat e kreut të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në emisionin Komiteti, për presidentin e zgjedhur të Serbisë, Aleksandar Vuciq, kanë ngjallur reagime edhe në Rusi, pas ‘termetit’ që ato shkaktuan në Serbi, më herët gjatë ditës së sotme.
Ministria ruse e Punëve të Jashtme i ka cilësuar agresive deklaratat e Haradinajt, duke i dënuar akuzat e tij ndaj Serbisë dhe ndaj udhëheqjes serbe lidhur me Kosovën dhe shqiptarët.

Gjatë intervistës në “Komitet”, Haradinaj ka thënë se dikush mund t’ia fusë kokën në thes Vuciqit për ta gjykuar në Prishtinë nëse Serbia vazhdon t’i ndjekë figurat e UÇK-së, të cilët ajo i akuzon për krime lufte. Haradinaj ka thënë se Kosova duhet të zbatojë reciprocitet në veprimet e saj derisa ka thënë se Vuçiq është ai që nuk po e lejon as votimin për ushtrinë e Kosovës.

“Vlerësojmë si të papranueshme mungesën e përgjigjes adekuate të mbështetësve të Prishtinës, para se gjithash të BE-së dhe SHBA-së pas deklaratave të tilla ekstremiste. A i vlerësojmë normale ato deklarata partnerët ndërkombëtarë? A janë të pranueshme deklarata të tilla në Evropën bashkëkohore? A po solidarizohen me Haradinajn Uashingtoni dhe Brukseli”, thuhet në komunikatën e Ministrisë ruse të Punëve të Jashtme.

Kjo ministri tutje thekson se me keqardhje e kanë pritur edhe vendimin e gjykatës franceze për lirimin e Haradinajt, duke, siç thekson kjo ministri, injoruar kërkesën ligjore të palës serbe për ekstradim.

“Kërkesa ishte e drejt ndaj personit që akuzohet për krime, kidnapime dhe dhunime”, thekson MPJ-ja ruse.

“Kjo tregon se kuazi shteti i Kosovës është burim kryesor i destabilitetit në rajon dhe është i dhënë ndaj aspiratave shqiptaromëdha të cilat mund të çojnë deri te konfliktet ndëretnike dhe paraqesin potencial për përleshje në Ballkan”, thuhet në fund.