Deda i quan hipoteza të SHIK-ut, akuzat për bashkëpunim me Rikallon

E publikuar: 16/09/2017 11:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ilir Deda nga Alternativa, në një prononcim për Koha.net ka sqaruar pjesëmarrjen e tij në Bordin e Sorosit, ku pjesë e saj ishte edhe ministri i ri i Bujqësisë, Nenad Rikallo.

Deda mohon të ketë pasur bashkëpunim mes tij dhe Rikallos, duke shtuar se krejt këto akuza janë lojë nga ana e SHIK-ut, për t’i ikur akuzave të qytetarëve se ata janë maltretuar nga Rikallo.

“Është një fatkeqësi në Kosovë. Krejt këto janë akuza të një grupi të qytetarëve që e akuzojnë ministrin. Ndërkaq për t’i ikur kësaj, ata flasin kinse për bashkëpunime tona. Janë hipoteza të SHIK-ut”, ka thënë ai.

Deda ka treguar se ai ka qenë anëtar i bordit të KFOS-it , ku ishte edhe Rikallo, por se nuk ka pasur asnjë bashkëpunim mes tyre.

Duke pasur parasysh se çështja e Rikallos u kthye në një betejë mes Qeverisë dhe opozitës, Ilir Deda gjatë ditës së djeshme fajësoi PDK-në për aprovimin e Ligjit për Amnisti.

“Dokrrat e disa eksponentëve të PDK janë të neveritshme. Para se të flasin çkado, më mirë është t’i shohin pasojat e qeverisjeve të tyre “historike”. A ju kujtohet Ligji për Amnisiti të cilin ju të PDK-së e votuat në 2013? Unë, atëherë pjesëtar i shoqërisë civile, me një grup të OJQ-ve për 4 ditë patëm mbledhur afër 13,000 nënshkrime kundër këtij ligji. Thaçi & Co. thoshin se Ligji për Amnisti është “në interes shtetëror të Kosovës” dhe në “frymë të pajtimit”. Sot, në Qeveri ka njerëz që nuk e kanë vendin aty pikërisht për shkak të atij ligji të Thaçit. Për këtë, dhe pasojat e tjera të atij ligji, pata paralajmëruar para 4 viteve”, ka shkruar Deda.