Deda: Kuvendi të mos mbajë seancë pa marrëveshje të pesë partive parlamentare

E publikuar: 28/10/2015 10:26
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje!, Ilir Deda, ka thënë se Kuvendi nuk duhet të mbajë seancë pa arritjen e një marrëveshje në mes të pesë partive parlamentare.

Në të kundërtën, ai ka thënë në këtë intervistë për “Epokën e re” se mosarritja e një marrëveshje do të jetë tragjedi për Kosovën dhe popullin tonë.

“Nuk ka asnjë kuptim të mbahet seanca pa arritjen e një marrëveshje. Alternativa e mosarritjes së një marrëveshje do të jetë tragjedi për Kosovën dhe popullin tonë”, është shprehur Deda.

Sipas tij, zgjidhja më e mirë për tejkalimin e situatës së tensionuar është shkuarja në referendum.

“E vetmja mënyrë me anë të së cilës mund të dalim nga kjo krizë është thirrja për referendum dhe bërja e Ligjit të Referendumit, që për marrëveshjen e 25 gushtit, për bashkësinë e komunave serbe, do të pyeteshin qytetarët nëse janë pro apo kundër”, ka theksuar Deda, duke shtuar se vendorët duhet ta zgjidhin krizën aktuale pa përfshirjen e faktorit ndërkombëtar.

“Me këtë do të tregonim më në fund arritjen e një pjekurie politike, e cila do të shërbente si model edhe në të ardhmen po qe se do të kishte kriza politike”, ka vlerësuar ai.

Deda ka thënë se i takon shumicës parlamentare të ndërmarrë hapa për t’u takuar me opozitën, në mënyrë që gjërat të lëvizin për së mbari.

“Janë rregullat e tilla të funksionimit, ku ata që kanë shumicën dhe që janë në pushtet duhet ta ndërmarrin hapin të arrihet një marrëveshje”, ka deklaruar ai.

Sipas Dedës, në situatën e krizës në të cilën jemi, zgjedhjet e reja nuk janë zgjidhje sepse nuk i konvenojnë askujt.

Deputeti Deda ka bërë me dije se edhe më tutje do të jetë pjesë e Vetëvendosje!-s, mirëpo ka thënë se avokon një qasje tjetër të veprimit politik. “Unë ende jam anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje! dhe nuk ka ndryshuar asgjë në anëtarësinë time partiake”, ka theksuar Ilir Deda.