Debatet për ndarjen e Kosovës, pse Edi Rama sot qëndroi larg Thaçit e Vuçiqit

E publikuar: 01/03/2018 17:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Raportimet e shpeshta që kanë arritur deri te mediat prestigjioze ndërkombëtare për mundësinë e negocimit të fshehtë të Edi Ramës, Hashim Thaçit dhe Aleksander Vuçiqit për ndarjen e Kosovës, siç duket ka kompleksuar liderët në fjalë. Ata po i rrinë larg njëri-tjetrit pas gjitha akuzave e fajësimeve që i ishin bërë se po duan ta copëtojnë Kosovën
Në Samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor që po mbahet Sofje të Bullgarisë treshja, së fundmi e shumëpërmendur për ndarjen e Kosovës, kanë evituar takimet mes vete.

Përveç takimit të tërësishëm ku kanë marrë pjesë gjashtë liderët e Ballkanit, në takimet e tyre me përfaqësues të lartë të Bashkimit Evropian, ata kanë realizuar edhe takime të ndara.

Kështu, presidenti i Kosovës, Hashim Thaci, është takuar me homologun e tij serb, Aleksandër Vuçiq, pasi ky i fundit për mediat serbe kishte treguar se nuk takohet me dëshirë me Thaçin, por ‘për të shpëtuar koka të fëmijëve serbë”. Bie në sy se në takimin Thaçi-Vucçiq, ka qenë i pranishëm kryeministri malazias Dusko Markoviq si lloj ndërmjetësuesi.

Përgjatë kohës që liderët e Ballkanit kanë kaluar në shtetin i cili mban presidencën e Bashkimit Evropian nuk vërehet asnjë lloj afërsie mes Ramës, Vuçiqit e Thaçit.

Duket t’i ketë kompleksuar fillimisht raportimi se të tre kishin ideuar e madje edhe ishin futur në negociata të fshehura dhe po planifikonin shkëmbimin e territoreve, që sipas burimeve diplomatike të Gazetës Express kjo ide ishte më shumë ndarje e Kosovës, duke iu shkëputur Veriu se sa që ishte shkëmbim i territoreve.

Në fakt, ideja e supozuar e tyre për ndarje të Kosovës kishte zënë vend edhe në gazetën prestigjioze britanike “The Guardian”, ku në një artikull dedikuar Kosovës në 10-vjetorin e shtetësisë kishin shkruar edhe për idenë në fjalë.

Sipas The Guardian, përfaqësuesit diplomatikë kanë treguar se ndarja e Kosovës është në tryezën e bisedimeve, në një modalitet të rrezikshëm: Veriu i bashkohet Serbisë, në këmbim të ulëses së Kosovës në OKB.

Pasi kjo filloi të diskutohej publikisht mbi aludimet se kjo treshe e Ballkanit i kanë hyrë ri-dizajnimit të territoreve, kishin reaguar ashpër edhe ambasadat e huaja, si ajo e Amerikës në Prishtinë, sipas të cilës, një ide e tillë do të sillte probleme të mëdha, e jo paqe apo qetësim.

Të gjitha këto reagime e fajësime që i janë bërë sidomos dy liderëve shqiptarë ka rezultuar që në takimin në Sofje ata të mos afrohen mes vete e hiç se hiç të bisedojnë me presidentin serb. /Express