Interpelanca për Astrit Deharin e thirrur dje nga Vetëvendosje ngjalli tensione e zhurmë në Kuvend.
E disa prej deputetëve kritikuan për tematikën e interpelancës, duke thënë se Kuvendi po ndërhyn në procese gjyqësore të cilave nuk iu është dhënë ende fjala përfundimtare.
Avokati i njohur Arianit Koci në një përgjigje për Indeksonline ka thënë se çështja e ndërhyrjes së politikës në rrethanat kosovare po keqkuptohet.
“Çështja e ndërhyrjes së politikës, në rrethana kosovare po keqkuptohet. Së pari, deputetët asnjë dispozitë ligjore nuk i ndalon të debatojnë për çështje me interes shoqëror. Deputetët i kryejnë detyrat e veta. Në anën tjetër, gjyqtarët dhe prokurorët prezumohet të jenë të paanshëm, të pavarur dhe mbi të gjitha të guximshëm” ka thënë Koci.
Ai ka shtuar se gjyqtari dhe prokurori duhet të jetë i pandikueshëm dhe të kryjnë detyrën në mënyrë profesionale.
“Gjyqtari dhe Prokurori duhet të jetë i guximshëm dhe i pandikueshëm. Përndryshe, nuk e meriton të jetë në atë pozitë. Gjyqtarët dhe prokurorët janë shtylla e shoqërisë, dhe nuk guxojnë të ndihen nën presion me deklarimet e deputetëve. Thjesht, duhet t’i kryejnë punët e veta me guxim profesional. Në të kundërtën, nuk duhet të mbajnë funksionet e gjyqtarit dhe prokurorit” është shprehur Koci për Indeksonline.
Koci është shprehur se ligjet nuk e kufizojnë deputetin lidhur me temat që duhen diskutohen në kuvend, por sigurisht që duhen të jenë të kujdesshëm në temat që i trajtojnë.
“Kemi probleme serioze në shoqërinë tonë. Pse duhet deputeti me e kufizu vetën, nëse ligjet pozitive nuk e kufizojnë. Natyrisht, mirë është që deputetë të jenë të kujdesshëm në temat që i trajtojnë, por debatet publike janë në mandat të deputetëve” ka thënë Koci.
Por, ndryshe mendon analisti politik, Shkelzen Maliqaj për Indeksonline ka thënë se këto tema nuk do duhej të debatoheshin në Kuvend, pasi janë instancat e procedurës në drejtësi që i përcjellin këto raste.
Maliqi këtë e quan presion të politikës ndaj gjyqësorit.
“S’ka çka debatohet në Kuvend për proceset që janë në fazat e hetimeve. Janë instancat e procedurës në drejtësi që përcjellin këto procese, derisa nuk të mirren verdiktet. Pra, deri të gjykata supreme. Nëse debati bartet në Kuvend është presion ndaj gjyqësorit… Çka pamë të rasti Dehari, akuzat e ndërsjella për poena politik, “Ju të pushtetit e keni vra Astritin, jo ju të VV e keni vra!” ka thënë Maliqi.
Memli Krasniqi është një ndër deputetët që bëri kritika për natyrën e temave në Kuvend, duke thënë se politika po ndërhyn në procese gjyqësore të cilat ende nuk kanë marr fund./Indeksonline/