Titullar i padiskutueshëm te Napoli dhe idhulli i ri i tifozëve, mes shumë yjeve si Hamsik, Higuain, Callejon apo Mertens. Ky është shqiptari Elseid Hysaj, që pas transferimit në San Paolo bindi trajnerin Sarri ta rreshtojë në formacionin e parë.
Por, rritja e mbrojtësit shkodran është vënë më tepër në dukje pas aktivizimit në krahun e djathtë. Përmirësimet vlerësohen edhe nga trajneri i Kombëtares, Gianni De Biasi. Për mediat italiane, tekniku kuqezi e cilësoi Hysaj-n një “lojtar të pjekur, inteligjent, i cili nuk e vuan presionin dhe që një skuadër e rëndësishme si Napoli vetëm mund ta ndihmojë”.
Ndër të tjera, De Biasi thekson se “pozicioni natyral i Hysaj është mbrojtës i djathtë, aty ku mund të shpalosë më mirë potencialin në fazën difensive”, duke mos harruar të shtojë se prej kualitetit të madh “lojtari mund të jetë shumë i vlefshëm edhe në krahun e majtë”.
Trajneri i Shqipërisë rikujtoi vlerësimet e disa javëve më parë për Elseid Hysaj-n, ndërsa shprehu edhe besimin se “duke u aktivizuar me vazhdimësi dhe në pozicionin ideal, 21-vjeçari do të vazhdojë rritjen, duke u bërë një mbrojtës edhe më i fort”. Në këtë fillim sezoni, trajneri Sarri i ka besuar Hysaj-t gjithmonë një fanellë titullari në Serinë A por edhe në fazën e grupeve në Europa League, duke lënë në stol zv.kapitenin e Napolit, Christian Maggio.