De Biasi: Nga kjo situatë do të dalim më të fortë

E publikuar: 17/04/2015 22:08
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gianni De Biasit, pasi mësoi shqip, i është dashur që të luajë në një fushë të panjohur më parë për të. Trajneri i Kombëtares Shqiptare është përballur me panelin e Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv, ka dëshmuar për 55 minuta dhe ndjesitë e kësaj ndeshjeje i shpjegon në një intervistë ekskluzive për Supersport.

“E përjetova normalisht, u përpoqa të isha sa më objektiv të ishte e mundur, të tregoja atë që ndodhi në fushë, të tregoja ato që ishin ndjesitë tona në dhomat e zhveshjes pasi pësuam agresionin dhe besoj se Gjykata e kuptoi shumë mirë atë që kisha ndërmend të thoja”.

Para gjykatës, De Biasi ka qëndruar konseguent ndaj qëndrimit të tij se në ato momente në Beograd nuk mund të flitej për futboll, pasi në rrezik ishte vetë jeta.

“Po, gjëja më e rëndësishme ishte të mbroja djemtë dhe familjet e tyre, dhe ky ishte objektivi kryesor në atë moment. Duke parë situatën donim që të ktheheshim në shtëpi me këmbët tona dhe të mos pësonim probleme të mëtejshme, them se në fund mund të jemi të kënaqur për atë që bëmë por duhet të jemi të zhgënjyer pasi aty sporti nuk fitoi”.

De Biasi gjithsesi nuk nxitohet për të thërritur “Urra” për sa i përket vendimit final, kjo nuk është një ndeshje si gjithë të tjerat ndërsa ai vendos për atë që ndodh në fushën e blertë.

“Cfarë mund të them, unë jam palë, mund të them si vepruam ne dhe si ishte situata. Kemi shumë të drejta nga ana jonë por e di se ka dhe situata të tjera për t’u vlerësuar dhe të shohim se cfarë do të dalë. Gjtihsesi sido që të jetë ne do të dalim nga kjo situatë më të fortë se më parë”.

Për sa i përket vendimit final, pasi është shprehur optimist në Komisionin e Disiplinës në UEFA dhe më pas në Apel, De Biasi këtë herë bën supersticiozin, ashtu si në një ndeshje futbolli.

“Dua të ndryshoj strategji këtë herë, le të themi se nuk do të ndodhë gjë këtë herë kështu që cfarëdo që të vijë do të jetë një bonus”.