Arritja e jashtëzakonshme e Shqipërisë me Gianni De Biasi-n, duke u kualifikuar në Kampionatin Europian mbetet një prej titujve kryesorë të mediave italiane. Edhe pse nuk ishin skuadra më e fort në grup, në aspektin teknik, kuqezinjtë u kualifikuan falë një skuadre të shkëlqyer. De Biasi tregon momentet kulmore të suksesit, duke theksuar se ndjesia për rezultatin historik nuk ndryshon.
“Ndjesia është pak a shumë e njëjta si ajo që përjetuam në fund të ndeshjes. Realizuam një arritje të paimagjinueshme në startin e edicionit. Një gëzim i jashtëzakonshëm. Askush nuk mund ta imagjinonte se Shqipëria do të kualifikohej në Francë, madje pa zhvilluar as ndeshjet play-off.”
De Biasi thekson se në momentin e emërimit Federata e Futbollit i kërkoi vetëm përmirësimin e rezultateve të Kombëtares, ndërsa tregon momentin kur kuptoi se kuqezinjtë mund të regjistronin rezultate të rëndësishme.
“Mendoj se arritjen më të rëndësishme e realizuam gjatë edicionit të kaluar, kur fituam me Norvegjinë në Oslo. Ata ishin në vendin e 29-të në FIFA, ndërsa ne të 78-ët. Fituam 1-0 jashtë fushe. Aty skuadra mori besim te aftësitë e saj, pasi më parë nuk kishte ndodhur të fitonte përballë një skuadre që ndodhej kaq lart në renditje dhe mbi të gjitha në transfertë.”
Megjithë fitoren në Portugali apo tri pikët e marra në tavolinë ndaj serbëve, De Biasi vlerëson se “pika e kthesës” për Shqipërinë ishte në ndeshjen e 4 Shtatorit në Danimarkë.
“Barazimi në Danimarkë ishte rezultati më i rëndësishëm. Pikërisht ata ishin rivalët tanë direkt. U larguam pa humbje nga fusha e tyre, duke barazuar 0-0. Tjetër faktor i rëndësishëm, ishte karakteri që tregoi skuadra deri në fund. Megjithë dy humbjet në shtëpi dhe në minutat e fundit kundër Portugalisë dhe Serbisë. Dy ndeshje të “çmendura”, të cilat do të sfilitnin edhe një kalë. Por, ne gjetëm forcat për të rimbushur bateritë dhe pas katër ditëve fituam në Armeni”.
Duke vlerësuar dimensionin e ri që ka marrë përfaqësuesja shqiptare, në fund trajneri kuqezi përqendrohet te pritshmëritë nga pjesëmarrja në fazën e grupeve të Euro 2016.
“Në kualifikuese ishim në një prej grupeve më të vështirë. Portugalia, Serbia dhe Danimarka janë skuadra të nivelit shumë të lart. Shqipëria arriti të kualifikohej si vendi i dytë në grup. Besoj se në Francë do të shkojmë pa peshën e përgjegjësive të mëdha, por të vetëdijshëm se asgjë nuk është e përfunduar. Duhet të vazhdojmë të punojmë dhe të shpresojmë se gjatë këtyre tetë muajve që na ndajnë nga Euro 2016 do të kemi pak dëmtime dhe që futbollistët të luajnë me vazhdimësi në klubet e tyre.”