Ka krijuar një skuadër që po bën të ëndërrojnë gjithë shqiptarët, është vetëm një hap larg realizimit të një misioni historik, kualifikimit për herë të parë të Shqipërisë. Mision aspak i lehtë që duhet kurorëzuar me sukses në ndeshjet e rradhës me Serbinë dhe Armeninë, por ndërkohë para këtyre sfidave, Gianni De Biasi nderohet me një titull që tregon se sa e cmojnë dhe e duan në Shqipëri. Trajneri i Kombëtares do të marrë të shtunën në Universitetin Europian të Tiranës titullin Honoris Causa në Shkencat Sociale. Sport News ka siguruar ndërkohë edhe motivacionin për vlerësimin akademik i cili është.
“Për meritat e jashtëzakonshme si kreativiteti, puna e madhe, kërkimi, disiplina taktike, në themelimin e ekipit kombëtar më të suksesshëm në historinë e futbollit.
Së bashku me ekipin, nëpërmjet sukseseve të tij ndërkombëtare, ka ndikuar cilësisht në ndryshimin e imazhit ndërkombëtar të shqiptarëve ; duke kontribuar kësisoj fuqimisht në krjimin e një ndjenje të forcuar kombëtare, në brezat e ndryshëm shqiptarë, brenda dhe jashtë vendit kryesisht tek të rinjtë, duke i afruar gjithnjë e më shumë ata tek sporti larg veseve të kohës që jetojmë.” shkruhet ne motivacionin per vleresimin e De Biasit.
Gianni De Biasi pritet që të vijë bashkë me familjen e tij në Tiranë dhe do të marrë cmimin Honoris Causa gjatë një ceremonie që do të zhvillohet të shtunën e ardhshme në orën 18.00 dhe ku pritet të jenë prezentë edhe Kryeministri i vendit Edi Rama, Presidenti i FSHF Armand Duka, ish Presidenti i Kosovës Behgjet Pacolli si dhe personalitete të tjera të fushave të ndryshme të jetës në vend.