Daut Haradinaj do të jetë kryetar i Komisionit për Bujqësi

E publikuar: 28/09/2017 12:51
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka dërguar në Kuvendin e Kosovës emrat e të gjithë anëtarëve për Komisionet e Kuvendit. Deputeti Daut Haradinaj do të jetë kryetar i Komisionit për Bujqësi.

AAK’ja ka vendosur që Komisioni për Bujqësi – që i takon kësaj partie – të udhëhiqet nga Daut Haradinaj, i cili në legjislacionin e kaluar ka qenë kryetari i komisionit për Punë të Brendshme –Siguri dhe mbikëqyrje të FSK-së.

Vet deputeti Haradinaj e ka konfirmuar këtë për Gazetën Express, ndërsa AAK ka dërguar edhe dy emrat e nënkryetarëve të komisioneve në datën të hënën, kur edhe ishte paraparë të propozohen emrat për kryetarë të komisioneve.

Kryesia e Kuvendit në mbledhjen e mbajtur më 20 shtator ka vendosur për ndarjen e komisioneve mes grupeve parlamentare.

Lëvizja Vetëvendosje do të kryesojë në komisionet për legjislacion, arsim, punë dhe mirëqenie sociale dhe atë për AKI-në.

LDK do të drejtojë komisionet për buxhet, punë të jashtme dhe atë për financa publike.

Komisionet për zhvillim ekonomik, administratë publike dhe për integrime do të kryesohen nga PDK-ja, derisa AAK do të kryesojë në komisionin për bujqësi, Nisma atë për siguri, derisa Lista Serbe atë për komunitete dhe kthim.

Grupi parlamentar 6 Plus do të drejtojë Komisionin për të drejtat e njeriut dhe barazi gjinore.