Dastid Pallaska për PDK’në, LDK’në, Vetëvendosjen e AAK’në: Po e luftojnë Kosovën sikur të ishte “plaçkë e luftës”

E publikuar: 21/08/2016 23:44
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Krejt çka po ndodh në skenën politike të Kosovës, avokati Dastid Pallaska po e sheh si luftë jo të ideve por të grupeve politike e klaneve për ta shkatërruar Kosovën.
Ai po konsideron se ballafaqimi i skenës aktuale politike po bëhet duke dëmtuar Shtetin të cilin e konsiderojnë si “plaçkë lufte”.

“Një vështrim më i kujdesshëm i debatit sipërfaqësor për keqpërdorimet e ndryshme të pushtetit që po i shohim qe 15 vite me radhë tregon se në fakt kemi të bëjmë jo me një ballafaqim idesh apo konceptesh por me një “mosmarrëveshje” në lidhje me shpërndarjen e “barabartë” të “plaçkës së luftës”, ka shkruar Pallaska në FB.

Por, çka e konsideron Dastid Pallaska “plaçkën të luftës”?

Këtë përgjigje e kishte dhënë në intervistën e parë për një medie të shkruar, në mars, të vitit 2014.

“…. Kjo tregon se elita politike së bashku me një pjesë të shoqërisë e kanë keqkuptuar idenë e shtetit në atë se krijimin e shtetit e shohin si qëllim në vete, si një arritje pas të cilës të gjithë “titullarët” e këtij “suksesi” duhet të shpërblehen deri në pasurinë e fundit të shtetit që krijuan, të shpërblehen deri në shpërbërjen e vet shtetit”, kishte thënë Pallaska, për Express,

Në atë kohë, Pallaska kishte thënë se problemi kryesor në këtë vend është që në 15 vitet e fundit nuk kemi udhëheqje por klane me interesa grupore.

“Elita politike e ka mbjellë idenë se ky shtet është i përkohshëm. Një pjesë e shoqërisë e konsiderojnë shtetin si sukses të një individi apo si diçka e huaj. Kjo ka krijuar një situatë ku shteti i dëshiruar aq shumë trajtohet si një “plaçkë e luftës”. Pothuajse të gjitha punët në vendin tonë kryhen mbi pesë anti-vlera kryesore: ryshfeti; dhuna apo kërcënimi me dhunë; lidhjet politike dhe klientelizimi partiak; lidhjet familjare; dhe dhembshuria ndaj një fatkeqësie”, kishte deklaruar ai.

Në të njëjtën kohë kishte ofruar edhe alternativën për të tejkaluar klasën aktuale politike të kapur pas krimit, korrupsionit, shantazhit, haraçit e punësimeve familjare e klanore.

“Këto antivlera duhet të zëvendësohen me dije dhe punë”, kishte shtuar ai.

Intervistën e plotë mund ta lexoni duke klikuar këtu.