Dashuria (Dasma) e magjishme e Hanës dhe Binit. Ekskluzivisht për Express rrëfejnë momentet më të bukura të dasmës

E publikuar: 24/11/2017 16:07
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Por, ajo as nuk e kishte paramenduar se dasma e saj do të ishte shumëfish më e bukur se që kishte imagjinuar, transmeton Gazeta Express.

Ish-prezantuesja dhe modelja e njohur Hana Shehu vetëm pak ditë më parë i dha fund beqarisë. Hana dhe Shkumbin Noka kurorëzuan dashurinë e tyre me martesë duke premtuar se do të jenë pranë njëri-tjetrit deri në fund të jetës, në të mirë e në të keq.

Edhe ky vit ishte padyshim ai i dasmave të yjeve të estradës. Por, dasma e çiftit më simpatik, këtë vit mbetet si ndër më të bukurat, me afro 300 mysafirë të pranishëm, ndër ta edhe shumë fytyra të njohura publike të politikës e estradës. Hana e Bini kishin menduar çdo detaj që dasma e tyre thjesht të jetë e përsosur.

Pritja e mysafirëve, dekorimet, lulet, muzika gjithçka ishte gati. Në hotelin Swiss Diamond në zemër të Prishtinës të gjithë tashmë po e po e prisnin çiftin e bukur të mbrëmjes.

Fillimisht ishte paraqitur Bini, ai i cili po e priste tek ‘altari’ në sallë vajzën e ëndrrave të tij. Ekskluzivisht për Express, Hana e Bini Noka rrëfejnë momentet më të bukura të dasmës së tyre. “Nuk jemi parë 24 orë dhe as nuk e kemi ditë se si do të dukemi, pasi as unë Hanën nuk e kam parë me vello para dasme e as ajo mua,  se thonë është fat i keq. E momenti kur Hana ka hyrë në sallë, ka qenë momenti më i bukur”, është shprehur Bini. 

Edhe për Hanën ndër momentet më të bukura të dasmës, kur e shoqëruar nga gjyshi i saj Prof. Dr. Skender Rizaj, ka hyrë në sallë për të filluar ceremoninë e kurorëzimit të martesës.  “Atë e kam në vend të babait, gjithmonë e kam pasur afër dhe natyrisht kur gjyshi po më shoqëronte në sallë ishte ndjenja më e bukur. E kur kam hy brenda edhe unë edhe Bini ende pa ju afruar njeri tjetrit,  përshpërisnim ndër buzë: wow sa bukur, e të dua shumë”, tha Hana e cila kishte të veshur vellon e bukur përrallore të punuar nga dizajneri i njohur franko-libanez, Zuhair Murad. Hana ishte pa asnjë mëdyshje princesha e mbrëmjes.

Por, kjo nuk është vello e vetme që kishte veshur Hana. Pas afër tri orëve Hana kishte veshur edhe një vello tjetër po aq të bukur e po ashtu të dizajnuar nga Zuhair Murad. 

Për të qenë prezent në ditën e tyre më të lumtur, shumë njerëz kishin ardhur nga vende të ndryshme të botës. Të gjithë kishin ardhur për të ndarë së bashku momentin më të bukur të tyre. Familjarë, miq, shokë e shoqe ngrinin dolli, uronin e përgëzonin çiftin Noka. E kështu për orë të tëra, nga ora 18:00 e deri në orët e hershme të mëngjesit të gjithë ishin argëtuar me muzikën e grupit Kadencat, Ymer Bajramit, Linda Hakajt e Dj Gamble. Duke mos dashur të harrojnë askënd, Hana e Bini kanë falënderuar të gjithë. “Ata që meritojnë falënderimet më të mëdha, janë familjet tona, miqtë, dashamirët, të gjithë ata që kontribuuan, na përkrahën e na ndihmuan që dasma jonë të jetë e mrekullueshme. Ata e kanë bërë këtë dasmë” theksuan Hana dhe Bini. 

Pasi u qetësuan disa ditë nga dasma, çifti Noka udhëtuan për në Monte Carlo për muajin e tyre të mjaltit ku shijuan çdo moment në bregdetin e bukur të Côte d’Azur.

Ata sapo u martuan, por të pyetur se kur do të bëhen prindër, Hana e Bini thanë se gjithçka në relacionin e tyre ka rrjedhur spontanisht e me siguri se edhe koha për tu bërë prindër e për tu trashëguar do të jetë po ashtu. Kujtojmë se çifti simpatik një vit më parë kishin kurorëzuar dashurinë e tyre me fejesë./Gazeta Express/