Departamenti Amerikan i Shtetit i ka kundërshtuar përpjekjet që të barazohet vrasja e rreshterit të Kosovës, Afrim Bunjaku, me sulmuesit “që ishin të përfshirë në vrasjen” e tij.
Kështu tha zëdhënësi Mathew Miller, në një intervistë për Radio Evropa e Lirë.
“Ne kemi qenë shumë të qartë: SHBA-ja dënon fuqishëm sulmet e koordinuara dhe të dhunshme ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator dhe ne shprehim ngushëllime për familjen e rreshterit të Policisë së Kosovës i cili u vra gjatë detyrës. Ne kundërshtojmë përpjekjet për të barazuar vdekjen tragjike të rreshterit të Policisë së Kosovës [Afrim] Bunjaku me vdekjen e individëve që ishin të përfshirë në vrasjen e një polici. Përgjegjësit duhet të dalin para drejtësisë përmes një procesi hetimor transparent. Ky hetim është duke u zhvilluar”, tha Miller.
Të dielen e 24 shtatori, në Banjskë të Zveçanit policia u sulmua teksa po kryente një operacion për heqjen e një barrikade të vendosur në rrugë.
I vrarë mbeti Afrim Bunjaku dhe u plagosën disa policë të tjerë.
30 sulmuesit e grupit terrorist ishin strehuar në Manastirin e Banjskës dhe prej aty vazhduan përleshjet me Policinë.
Tre prej tyre mbetën të vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit, ndërkaq tetë persona u arrestuan për këtë sulm, gjashtë prej të cilëve u liruan pa ndonjë provë lidhur me rastin.
Beogradi ka mohuar se ka gisht në këtë ngjarje.
Më 27 shtator në Serbi u shpall ditë zie për tre serbët e vrarë në Banjskë.
Ky vendim u kritikua edhe nga Bashkimi Evropian.
Zëdhënësi Peter Stano, deklaroi se “nuk mund të barazohen viktimat e terrorizmit me terroristët”.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha më 27 shtator se ai kurrë nuk mund t’i cilësojë si “terroristë” pjesëtarët e grupit të armatosur që sulmuan Policinë e Kosovës.