Pas rikthimit të qetësisë në veri të Kosovës, Washingtoni kërkon që Kosova dhe Serbia t’i kthehen përpjekjeve të tyre për të krijuar një ambient për dialog mes palëve. Gjithashtu në mënyrë të prerë implementimin e marrëveshjeve të procesit të dialogut duke thënë se duhet të ndodhë plotësisht dhe pa vonesa. SHBA javëve të fundit është duke insistuar në formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe që sipas tyre do të adresonte të drejtat kolektive të këtij komuniteti.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë mirëpritur zhbllokikimin e veriut të Kosovës nga barrikadat dhe rikthimin në funksion të pikave kufitare në mes të Kosovës dhe Serbisë. Kështu ka thënë ekskluzivisht për Gazetën Express një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit të pyetur për pritjet e Washingtonit për procesin e dialogut tashmë që situata është qetesuar.
“Ne mirëpresim lajmet për heqjen e barrikadave në veri të Kosovës dhe rihapjen e pikave kryesore kufitare mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë për Express ky zëdhënës i DASH.
Amerikanët tashmë presin që Kosova dhe Serbia t’i kthehen përpjekjeve për të nxitur krijimin e një mjedisi të favorshëm për pajtim, stabilitet rajonal dhe bashkëpunim për të mirën e të gjithë qytetarëve që jetojnë në Kosovë dhe Serbi.
Nga Departamenti Amerikan i Shtetit në përgjigjen e dhënë për Gazetën Express kanë treguar edhe pritjen e tyre sa i përket zbatimit të marrëveshjeve të Brukselit nga palët, e ku një ndër to është edhe Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.
Amerikanët kërkojnë që të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të procesit të dialogut duhet të implementohen plotësisht dhe pa vonesa.
“Të gjitha detyrimet e Dialogut duhet të zbatohen plotësisht pa vonesë.”, ka thënë ky zëdhënës i Departamentit të Shtetit për Gazetën Expresss.
Për të çuar palët drejt rinisjes së dialogut, në Prishtinë dhe Beograd gjatë këtij muaji pritet që të zbarkojnë këshilltarët kryesorë të kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe presidentit francez, Emmanuel Macron.
Edhe një nga njerëzit më të afërt të Sekretarit Amerikan, Derek Chollet ka paralajmëruar se gjatë pjesës së parë të këtij viti do të vizitojë Kosovën.