Dardan Molliqaj: Thaçi, Veseli e Haradinaj dikur ishin të gatshëm të jepnin jetën për Kosovën…

E publikuar: 10/09/2017 14:42
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputeti i Vetëvendosjes, Dardan Molliqaj, për herë të parë ka folur edhe fjalë të mira për Hashim Thaçin, Kadri Veselin e Ramush Haradinajn. Por, fjalët e mira të tij kanë të bëjnë me veprimtarinë e tre udhëheqësve aktualë të Presidencës, Kuvendit e të Qeverisë në kohën e luftës.

Molliqaj ka thënë se Thaçi, Veseli e Haradinaj dikur ishin në gjendje të jepnin edhe jetën për Kosovën.

Ndërkohë, ka lëshuar akuza se tash, janë në gjendje të japin Kosovën për pushtet personal.

“Është tragjike se si këta tre ish-luftëtarë dje ishin të gatshëm të japin jetën për Kosovën, ndërsa sot janë gati që ta japin Kosovën (madje edhe Serbisë) për pushtet personal. Por nuk do ta kenë gjatë!”, ka shkruar Molliqaj.

Ai ka thënë se tre udhëheqësit e Shtetit po punojnë në përputhje me interesat e Serbisë.

“Projektet politike të Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Ramush Haradinaj nuk po i pengojnë më Beogardit. Përkundrazi këto projekte tashmë janë në përputhje me interesat e Serbisë në Kosovë. Për këtë arsye sot Vuçiqi deklaroi se serbët e Kosovës duhet ta mbështesin qeverinë e PAN-it e jo Vetëvendosjen”, ka shtuar ai.