Në sfidën e 4 Shtatorit në stadiumin Telia Park të Kopenhagenit përballë Shqipërisë do të zbresë në fushë Danimarka më e mirë e mundshme. Trajneri i përfaqësues skandinave Morten Olsen ka shpallur listën e lojtarëve të grumbulluar për dy ndeshjet e muajit Shtator ndaj kombëtares kuqezi dhe Armenisë, dhe ndër 22 emrat e përzgjedhur nga ky i fundit, mungojnë surprizat. Ashtu si në Elbasan Arena edhe në Kopenhagen përballë Shqipërisë, Danimarka do të mbështetet te emra të rëndësishëm si Niclas Bendtner, Christian Eriksen, Simon Kjaer e Daniel Agger. Për portën Olsen ka grumbulluar Andersen të Kopenhagenit, Schmaichel të Leicester City-it, dhe Lossl që luan me Guingamp në Francë. Nuk mungojnë emrat e mëdhenj as në repartin e prapavijës, me Simon Poulsen të Psv Eindhoven , Nicolai Boilessen të Ajaxit dhe dy qëndërmbrojtësit me eksperiencë të madhe mbi supe si Kjaer e Agger. Mesfusha e Danimarkës si gjithmonë do të bazohet te klasi i Christian Eriksen por edhe te Krohn Dehli dhe talenti i Bayern Munich, Hojbjerg. Në sulm nuk mungon Lasse Vibe autori i golit të Danimarkës në sfidën e parë që u zhvillua në Elbasan dhe që përfundoi në barazim 1-1. Janë grumbulluar nga Olsen edhe Niclas Bendtner i Wolfsburgut dhe Youssuf Poulsen i Leipzigut. Danimarkë-Shqipëri do të zhvillohet në 4 Shtator në orën 20.45 në stadiumin Telia Park të Kopenhagenit, një sfidë që do të përcaktojë shumë përsa i përket fateve të kombëtares kuqezi në grupin I eliminator për Euro 2016. Për të besuarit e Gianni De Biasit, ëndrra për të shkuar në Francë kalon nga Danimarka./ss/