Drejtori i përgjithshëm për Zgjerim dhe Fqinjësi në Komisionin Evropian, Christian Danielsson, ka takuar sot kryeministrin Ramush Haradinaj dhe kryeparlamentarin Kadri Veseli.
Ai ka treguar se çfarë saktësisht është diskutuar në këto takime.
“Takimi që kam pasur sot me kryeministrin dhe kryeparlamentarin dhe takimet që do të kem më vonë kanë të bëjnë me reformat dhe rëndësinë që kanë ato për të adresuar sfidat e mëdha të Kosovës”, ka thënë Danielsson për Klan Kosova.
“Kemi pasur diskutime shumë të mira edhe nga ana e Komisionit që t’i ndihmojmë Kosovës në këtë rrugë”, ka theksuar ai.
Danielsson ka treguar edhe përshtypjet e tij lidhur me Qeverinë e re të Kosovës.
“Nga kontaktet sot, kam parë një determinim të qartë për të ecur përpara reformave, do të jetë punë e përbashkët, jo vetëm e Parlamentit por e gjithë shoqërisë, si detyrë në këtë proces janë reformat e mëdha”, ka thënë Danielsson.
Ai ka folur edhe për reformat dhe detyrat që ka Kosova.
“Po bisedojmë për reformat në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe çështje që adresojnë çështjet e ekonomisë joformale, të gjitha këto duhet të bëhen me determinim të partive për të ecur përpara dhe kjo nevojë imediate është e rëndësishme për të gjithë qytetarët, dhe është element i rëndësishëm drejt rrugës evropiane”, ka treguar ai.
Danielsson në këtë intervistë ka folur edhe për çështjet e drejtësisë dhe sundimin e ligjit në Kosovë.
“Kjo ishte sfidë, për këtë arsye duhet zotim i Qeverisë dhe shoqërisë civile dhe të gjitha këtyre, MSA-ja, lufta kundër krimit dhe korrupsionit është e rëndësishme jo vetëm se këto çështje prekin qytetarët por është esenciale për rritjen e ekonomisë”, ka thënë ai.
“Nëse pyetni biznesmenët dhe ata që duan të investojnë në Kosovë, ata do t’u thonë që këto çështje duhet të luftohen dhe andaj ne jemi zotuar t’i ndihmojmë Kosovës në luftën kundër tyre”, është shprehur Danielsson.

















