Daniel Serwer, ish-diplomati amerikan dhe eksperti për çështje të Ballkanit, në një intervistë për Gazetën Express, ka analizuar zhvillimet e fundit në Kosovë dhe bllokadën e Parlamentit nga partitë opozitare. Ai ka theksuar se me sjelljet e saj opozita po rrezikon të përballet me masat e rrepta të shtetit dhe të humb mbështetjen në sondazhe. Serwer ka thënë se opozita pa i fituar zgjedhjet nuk mund të marrë vendime për Kosovën. Por, analisti amerikan thekson se po të ishin në pushtet opozita nuk do të kërkonte prishjen e marrëveshjeve të Brukselit.
Express: Kosova është duke kaluar në një situatë të paprecedentë ku partitë opozitare (VV-AAK-NISMA) janë duke i bllokuar seancat parlamentare duke e shprehur kështu mospajtimin rreth marrëveshjeve me Serbinë të ndërmjetësuar nga BE dhe demarkacionin me Malin e Zi. Partitë opozitare po ashtu kanë hedhur gas lotsjellës në Parlament, një veprim që është dënuar nga diplomatët e BE’së dhe SHBA’së. A ka ndonjë recetë për zgjidhjen e këtij ngërçi?
D.Serwer: Nuk kam ndonjë recetë për atë se si të tjerët qeverisin me vendet e tyre, por shpresoj se rendi dhe sundimi i ligjit do të mbizotërojnë. Opozita e Kosovës duhet t’i prezantojë argumentet e saj në mënyrë paqësore, ose të rrezikojë të përballet me masat e rrepta të shtetit si dhe të humb mbështetjen në sondazhe. Opozita duhet t’i fitojë zgjedhjet dhe të formojë Qeverinë në mënyrë që të vendos se çfarë duhet të bëjë Kosovë. Kur ta bëjnë këtë, dyshoj se ata do të donin t’i prishnin marrëveshjet e Brukselit sepse Kosova ka interes që të ketë marrëdhënie të mira me BE’në, SHBA’të dhe Beogradin.
Express: A mendoni se institucionet e Kosovës janë në gjendje të gjejnë zgjidhje apo ende duhet të ketë involvim ndërkombëtar?
D.Serwer: Jam i prirur të favorizoj zgjidhjet nga institucionet e Kosovës, të përkrahura nga komuniteti ndërkombëtar kur është e nevojshme.
E kam të vështirë të kuptojë se pse njerëzit po nxiten për shkak të demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, që është një hap jetik në vendosjen e sovranitetit dhe integriteti territorial. E kuptoj pikëllimin me marrëveshjet e fundit të Brukselit por problemet me to kryesisht kanë të bëjnë me Planin e Ahtisaarit. Nuk ka alternativë tjetër, pos implementimit të tyre.
Nëse mund ta citojë këtu Giulio Andreottin: Il potere logora qui non c’e l’ha. Pushteti i rraskapit ata që nuk e kanë atë. Shpresoj se partitë opozitare në Kosovë do të fokusohen në atë se si të atraktojnë votues dhe të qeverisin në mënyrë më efektive se rivalët e tyre se sa në sjellje që shumë qytetarë mund të mos I pëlqejnë.