Më poshtë mund ta lexoni të plotë shkrimin e Serwer-it:
Dy karriget
Hoyt Yee, zëvendësndihmëssekretari amerikan i Shtetit për çështje evropiane dhe euro-aziatike, Hoyt Brian Yee, domeni i të cilit përfshin edhe Ballkanin, tha dje në Beograd se Serbia “nuk mund të ulet në dy karrige në të njëjtën kohë”. Ai po u referohej përpjekjeve të Beogradit për të hyrë në BE dhe për t’i ruajtur marrëdhëniet e ngushta me Rusinë e Vladimir Putinit. Këto dy synime janë shumë larg njëra-tjetrës, sugjeroi ai.
Pajtohem, por lind pyetja: pse dikush në një vend që ka nevojë për reforma politike dhe ekonomike do të lidhej me Moskën? Rusia e ka një ekonomi të madhësisë së Spanjës (me Katalonjën) dhe një sistem politik që drejtohet kah persekutimi dhe vrasja për t’i eliminuar kundërshtarët. Derisa ushtria ruse ka gëzuar sukses me intervenimet e saj në Ukrainë dhe Siri, nuk e ka as për afër kapacitetin që Perëndimi e ka për t’i mbrojtur miqtë dhe aleatët. Rusia është një fuqi rajonale në rënie; një varës i shëndoshë në hidrokarbure e jo në ekonomi të larmishme.
Megjithatë, ka njerëz në Serbi që ndiejnë se kanë nevojë për “përqafim të ngrohtë nga ariu rus”, siç ma ka thënë njëri prej tyre. “Kur ishte hera e fundit që një president amerikan e vizitoi Beogradin?”, më pyeti ai. Në atë moment s’e dija, por përgjigja e saktë duket të jetë kjo: Jimmy Carter në vitin 1980. Vërtet shumë kohë më parë. Thuhet se Presidenti Trump ka premtuar se do ta vizitojë vitin e ardhshëm.
Çfarë përfshin përqafimi i ngrohtë rus? Derisa është një lidhje politike thelbësore, dashuria e Beogradit për Moskën, po ashtu, nënkupton bashkëpunim ushtarak, interes ekonomik dhe afri kulturore sllave. Rusët i kanë dhuruar Serbisë “MiGs”, e kanë përfshirë Serbinë në stërvitje ushtarake dhe e kanë themeluar një bazë të logjistikave humanitare afër Nishit.
Ata e pengojnë Kosovën për të mos hyrë në Kombet e Bashkuara. Po ashtu, ata e kanë marrë në kontroll shumicën e sektorit të energjisë të Serbisë. Beogradi mund t’i parapëlqejë F16-shat, por Uashingtoni nuk i fal ata, ndërsa mungesa e tubacioneve të duhura i pengon përpjekjet për ta larguar Serbinë nga gazi rus. Russia Today dhe Sputnik janë duke bërë përpjekje të mëdha për ta ruajtur historinë e vjetër të vëllazërisë sllave me Serbinë, të mos flasim për përpjekjet e Kishave Ortodokse të Serbisë dhe Rusisë.
Përqafimi rus, po ashtu, nënkupton pranimin e normave qeverisëse të Putinit. Ato përfshijnë vrasjen. Vitin e kaluar, Moska tentoi ta kryejë, përmes Serbisë, një komplot për vrasjen e kryeministrit të Malit të Zi, Gjukanoviq, mikun e mirë të Vuçiqit. Për çdo lëvdatë Vuçiqi jo vetëm që ndihmoi në prishjen e komplotit, por po ashtu ofroi edhe dëshmi jetësore për realitetin e tij. Druajtja për ndonjë tentim të ngjashëm në Serbi është motiv i mjaftueshëm për disa politikanë, për t’i mbrojtur kundërshtarët në mënyrë që ta shpëtojnë veten.
Por, ata kanë edhe arsye tjera, gjithashtu. Reformat që Bashkimi Evropian i kërkon si kusht për pranim u kërkojnë liderëve politikë të bëjnë gjëra të vështira që e parandalojnë të paktën një pjesë të sëmundjes së korrupsionit në Ballkan. Të paktën një lider ballkanik, Ivo Sanader (ish-kryeministër i Kroacisë) u arrestua, u gjykua dhe u dënua si pasojë e reformave gjyqësore për të cilat ishte vetë përgjegjës. “Efekti Sanader” i ka bërë liderët tjerë ballkanikë shumë më të kujdesshëm rreth pavarësisë së gjyqësorit dhe ndjekjeve penale antikorrupsion.
Presidenti Vuçiq, i cili vazhdimisht i ka fituar zgjedhjet përmes platformës pro-BE, do të bënte gabim shumë të madh nëse nuk do ta zgjidhte karrigen e BE-së, edhe pse duke bërë kështu atij do t’i duhet të heqë dorë nga kontrolli i shtypit dhe ta pranojë një gjyqësor shumë më të pavarur, i gatshëm për ta luftuar korrupsionin dhe krimet tjera zyrtare. Këto nuk janë gjëra të lehta për t’u bërë për ish-ministrin për Informim në Qeverinë e Millosheviqit. Disa zakone të këqija është shumë vështirë të thyhen, edhe nëse në princip dëshiron ta bësh një gjë të tillë.
Madje, pyes veten nëse mediet dhe gjykatat serbe do t’i besonin Vuçiqit, nëse ai sinjalizon qartazi se do të heqë dorë nga ndikimin ndaj tyre.
Kjo, megjithatë, është ajo çka ai duhet të bëjë, jo për të më kënaqur mua apo Hoyt Yee, por për t’ia mundësuar Serbisë të dalë si demokraci reale dhe liberale më e lidhur politikisht me BE-në dhe sa më larg ariut rus. /Express/