​Dallaveret me patentë-shoferë, ndalohen dy zyrtarë publikë

E publikuar: 21/08/2025 16:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Prokuroria Themelore në Prishtinë/Departamenti për Krime të Rënda/Njësiti kundër Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit sot ka ndaluar me vendim të Prokurorit dy persona për shkak të veprave penale marrja e ryshfetit dhe keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar.

Personat e ndaluar janë zyrtarë publikë, të cilët dyshohet se me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, nga i dëmtuari kanë kërkuar dhe pranuar një shumë të caktuar të të hollave, në atë mënyrë që i dëmtuari ta kalojë testin teorik për patentë shofer, me çka pas dhënies së shumës të caktuar të parave në formë të ryshfetit, i njëjti e ka kaluar testin teorik.

Ndaj të dyshuarve është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa brenda afateve ligjore Prokurori i Shtetit do të ndërmerr veprimet e nevojshme procedurale.