Daka: S’kam asgjë kundër Zafir Berishës, KQZ e zbatoi ligjin

E publikuar: 13/09/2017 00:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor në vend, Valdete Daka, ka thënë se nuk ka asgjë kundër Deputetit të Nisma për Kosovën, Zafir Berishës, i cili e akuzoi atë se për qëllime politike e larguan nga gara për kryetar komune në zgjedhjet lokale.
Në një intervistë në Klan Kosova, Daka ka thënë se në vend që të linçohej ajo dhe gjithë stafi i KQZ-së, ky vendim ndaj gjithë kandidatëve të decertifikuar do duhej të përshëndetej.

”Valdete Daka nuk ka dhënë vendim ndaj Zafir Berishës, KQZ ka dhënë vendim ndaj tij”.

”Konsideroj që vendimi i KQZ-së është dashur të përshëndetej e jo të linçohemi, sidomos unë si kryetare e KQZ-së për dicka që është ligjore që nuk e kam bërë unë. Vepra penale, është vepër penale cfarëdo qoftë ajo dhe është e dënueshme për secilin”.

”Asnjë nga anëtarët e KQZ-së nuk kanë ditë rreth kandidatëve të decertifikuar. Në vend që të përshëndetej ky vendim, ata vazhdojnë dhe kritikojnë e po ashtu ofendojnë”.

”Një gjuhë e tillë ofenduese dhe denigruese, nuk i përkon asnjë kandidati e sidomos atij që kandidon për kryetar komune. Nuk kam arsye për ndonjë komplot kundër tij”.

”Subjektet politike pajtohen, ndahen, prishen, por në fund të ditës janë politikanë kanë marrëveshjet e tyre qoftë të ditura qoftë të paditura, nuk e di pse unë të jem pjesë e tyre kur ka kaq vite që unë vijë nga Gjykata”.

Daka po ashtu në Ora e Fundit tha se të gjithë të decertifikuarit në këtë rast dhe Zafir Berisha, kanë të drejtë ankese, ndërsa sipas saj nëse ndonjë instancë vendoset në favor të të ankuarit, përkatësisht Berishës i lejohet kandidimi për kryetar komune, transmeton Klan Kosova.

”Jo vetëm Zafir Berisha por të gjithë të decertifikuarit kanë të drejtë të ankohen. Nëse ndonjë instancë vendos që Berisha ka pas të drejtë e ne jo, sigurisht që mund të kandidojë”.

”Të gjithë kandidatët qoftë për Parlament të Kosovës qoftë për asamble, shënojnë një formular për përmbushje kushtet nga NENI 29 për zgjedhje të përgjithshme i cili vlen edhe për zgjedhjet lokale. Atë kohë kanë qenë afati për zgjedhje për 30 ditë për organizim të zgjedhjeve, e ne skemi kërkuar shënimet për secilin sepse do kishte ngecë procesi i zgjedhjeve. U ka mbet në ndërgjegje kandidatëve që të deklarohen për shënimet e tyre”.

”Kjo është hera e parë për një proces të tillë, por sdo të thotë se s’vlenë për hera të tjera. Nëse ky ligj mbetet në fuqi, me siguri do ta aplikojmë këtë proces”, është shprehur Daka.