Zëvendëskryeministri serb, Ivica Daçiq, ka thënë se idesë së autonomisë së Kosovës të propozuar nga presidenti serb Tomislav Nikolliq, i ka dalë afati.
Ai ka thënë se kosovarët nuk do ta pranonin një gjë të tillë, ashtu siç serbët nuk do të pranojnë që ta njohin pavarësinë e Kosovës.
Daçiq mendon se Serbisë nuk do t’i kërkohet ta njohë pavarësinë e Kosovës si kusht për integrim në BE pasi, sipas tij, as Unionin nuk mban një qëndrim karshi shtetësisë kosovare.
“Për momentin, askush në Bruksel nuk e di se çfarë do të përmbajë marrëveshja. Mirëpo, është e vërtetë se neve do të na kërkohet të nënshkruajmë një marrëveshje ligjore me Prishtinën”, ka thënë ai për gazetën Vecernje Novosti.
Sipas tij, zgjidhja ideale e çështjes së Kosovës do të ishte ndarja e saj. Kosova do të merrte territorin në jug të lumit Ibër, kurse Serbisë t’i dorëzohej veriu. /Klan Kosova/