Ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiq, sot në Madrid ka pasur takime të ndara me shefat e diplomacive të Spanjës dhe Malit të cilët ia kanë rikonfirmuar se nuk e ndryshojnë qëndrimin karshi Kosovës.
Me këtë rast, ata ia kanë komunikuar Daçiqit edhe votën kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, raporton gazeta “Blic” e Serbisë.
Daçiq, pas takimit me presidentin e Senatit spanjoll Pio Garcia-Escudero dhe me homologun e tij spanjoll, Jose Manuel Garcia-Margallo, ka thënë se shteti spanjoll përkrah qëndrimin e Serbisë karshi Kosovës.
“Spanja edhe njëherë e ka përsëritur qëndrimin e saj karshi Kosovës dhe Metohisë si dhe përkrah eutointegrimin e Serbisë”, ka thënë Daçiq, transmeton Koha.net.
Ndërkaq, gjatë takimit me homologun e tij të Malit, Daçiq ka thënë se edhe ky vend mban qëndrimin e vjetër për mos-njohjet të Kosovës.
“Ata respektojnë Serbinë si pasuese e ish-Jugosllavisë, dhe kjo vjen që nga koha e Josip Broz Titos”, ka thënë Daçiqi, ndërsa ka theksuar se me homologët e tij spanjoll dhe malez kanë diskutuar edhe çështjen e pranimit të Kosovës në UNESCO, çështje për të cilën Daçiq ka thënë se të dy vendet përkrahin Serbinë dhe nuk do ta përkrahin një qëndrim të tillë.