Ministri i Punëve të jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se për Serbinë është i papranueshëm veprimi i Prishtinës e cila ka ndaluar hyrjen e mallit nga Serbia pa dokumente ku shkruhet “Republika e Kosovës”.
Ai ka shtuar se “nuk kemi ndër mend të vazhdojmë dialogun pa heqjen e këtyre masave”, ka raportuar RTS.
Prishtina dje ka ndaluar hyrjen e mallrave nga Serbia pa dokumente në të cilat shkruhet “Republika e Kosovës”, të cilën Ivica Daçiq e konsideron masë më të keqe se sa taksa 100% në mallrat e Serbisë, transmeton KOHA.
“Këto janë masa të reciprocitetit për të cilat as qytetarët e Serbisë e as bashkësia ndërkombëtare nuk janë pajtuar, njëjte si atë taksën, e cila pat dyfishuar çmimin e mallrave, por së paku qarkullonte. Qeveria në Prishtinë ka marrë vendim të masave të reciprocitetit, hap i cili u mirëprit nga ana e disa shteteve. Ndërsa ne menjëherë kemi thënë që kjo gjë është e papranueshme”, shtoi Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë.
Pranimi këtyre masave, sipas tij, do të nënkuptonte se Serbia po pranon Kosovën.
“Nuk kemi ndër mend të vazhdojmë dialogun deri sa nuk hiqen taksat dhe reciprociteti. Për neve kjo është e papranueshme, dhe i mohon të gjitha marrëveshjet. Me të drejtë presim reagimin e komunitetit ndërkombëtar. Richard Grenell më herët ka reaguar për këtë çështje dhe ka thënë se vendosja e masave të reciprocitetit është lojë me vendimin për heqjen e taksave”, ka shtuar ai.
Sipas fjalëve të tij, dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit tash gjendet në respirator, transmeton KOHA.
“Dialog nuk ka, dhe në tërë këtë situatë shumë faktorë ndërkombëtar janë përpjekur që të mbajnë bisedat në frymëmarrje artificiale si Merkeli dhe Makroni, ndërsa qasja e administratës amerikane është ndryshe nga qasja e Bidenit dhe Hillary Clintonit”, ka thënë Daçiq.
“Prishtina, si fëmijë i lazdruar”
Duke komentuar qeverinë e re që duhet formuar në Prishtinë, Daçiq, ka thënë se këto janë gjëra në të cilat Beogradi as nuk mundet e as nuk dëshiron të përzihet.
“Cilado qeveri, sipas tij, duhet të jetë e qartë a po i mbahet marrëveshjeve apo jo. Të gjithë ata janë të njëjtë” deklaroi Daciq. “Dëshirojnë pavarësinë e Kosovës, dëshirojnë që Serbia ta pranojë, por ky nuk është dialogu dhe ne këtë nuk do ta pranojmë. Ata nuk kuptojnë se gjërat kanë ndryshuar, presin që komuniteti ndërkombëtar t’ua sjell çdo gjë në pjatë”.
Ai ka vazhduar duke thënë se Prishtina po sillet si fëmijë i lazdruar e cila është mësuar që komuniteti ndërkombëtar t’ia plotësojë të gjitha dëshirat.
“Sot nuk është më kështu. Dhe kjo varet se sa do të jetë stabile dhe e fortë Serbia, dhe pozita jonë është jashtëzakonisht e fuqishme. Nuk vjen në konsiderim asgjë pa heqjen e reciprocitetit. Serbia nuk do ta pranojë Kosovën, por dëshiron dialog dhe kompromis. Nëse mendojnë që kompromis do të thotë që Serbia të pranojë Kosovën, kjo nuk do të ndodhë”, ka thënë Daçiq.