Ministri serb i Punëve të Jashtme Ivica Daçiq konsideron se rasti i Katalonjës hedh një dritë të re në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, transmeton Gazeta Express.
“Ky është tani një fakt i ri. Deri tani vetëm flitej për këtë, kurse tani arriti në oborrin e tyre, megjithëse e gjithë kjo në njëfarë mënyrë është edhe oborr i yni”, tha Daçiqi në intervistën e mbrëmshme në RTS.
Sipas shefit të diplomacisë serbe, Kosova s’ka pasur mungesë të autonomisë e as të të drejtave demokratike, porse madje ka pasur shkallë më të lartë të autonomisë, si republikë.
“Problemi u krijua kur ata kërkuan republikë”, tha Daçiqi.
Sipas tij, nëse si argument për vetëvendosje përdoret ajo se ndonjë minoritet diku po keqtrajtohet, atëherë serbët në Kroaci që moti kanë të drejtë të krijojnë shtetin e tyre.
Shefi aktual i diplomacisë serbe ishte funksionar i lartë dhe bashkëpunëtor i afërt i të ashtuquajturit “kasap i Ballkanit” Sllobodan Millosheviq deri në rënien e tij nga pushteti në tetor të vitit 2000. Në prill 2001 Millosheviqi iu dorëzua Tribunalit të Hagës, në burgun e të cilit edhe vdiq më 2006, ndërsa Daçiqi pas rënies së Millosheviqit mori partinë e tij dhe iu bashkëngjit të gjitha qeverive të ardhshme të Serbisë, duke qenë një kohë edhe kryeministër. /Gazeta Express/



















