Daçiq fjalë miradie për Prishtinën, flet për luftën, qebapët dhe kafenë turke

E publikuar: 02/04/2015 14:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Serbisë, Ivica Daçic, ka ndarë përshtypjet e tij nga konferenca “Western Balkans’ 6”, e mbajtur në Prishtinë, përmes një “ditari” të tij të botuar në të përjavshmen serbe “Nedeljnik”.

Konferenca “Western Balkans’ 6” mblodhi ministrat e jashtëm dhe të transportit të shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe është vazhdimësi e “Procesit të Berlinit” të nisur nga kancelarja gjermane Angela Merkel, me synim ndërlidhjen e vendeve të rajonit përmes projekteve kapitale infrastrukturore dhe avancimit të sektorit të energjisë.

Në ditarin e tij, Daçiq është shprehur se, ndonëse është i vetëdijshëm për realitetin e ri në Kosovë, ka hasur në një mikpritje shembullore në Prishtinë dhe ka përgëzuar nikoqirin e tij, zëvendëskryeministrin dhe ministrin e jashtëm të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe kolegët e tij të tjerë kosovarë për organizimin e shkëlqyeshëm të konferencës, e cila do t’i kontribuojë zhvillimit ekonomik të vendeve të rajonit dhe afrimit të qytetarëve të këtyre vendeve.

Daçiq e ka ilustruar vizitën e tij me disa “pikanteri” tipike ballkanase, duke thënë se i ka shijuar me ëndje qebapët e Kosovës dhe kafen turke, si metaforë të jetës së thjeshtë dhe të qetë.

Zëvendëskryeministri serb tha se të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet të kthehet nga e ardhmja dhe konkludoi se vetëm ata që e dinë se çfarë është lufta mund të flasin dhe të kontribuojnë për arritjen e paqes në Ballkanin Perëndimor.