Daçiq befasohet në Shtëpinë e Bardhë, takon kosovarin që punon aty (Foto)

E publikuar: 05/12/2017 20:25
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, i ka treguar serbëve se është befasuar gjatë një takimi që ka zhvilluar ditë më parë në Uashington, me H.R. McMaster, këshilltar për Siguri Kombëtare i presidentit amerikan, Donald Trump, kur një njeri afër zyrtarit amerikan e ka përshëndetur atë dhe është prezantuar, duke i treguar se është nga Kosova.

Bëhet fjalë për Ylli Bajraktarin, i cili aktualisht është dora e djathtë e McMasterit dhe njeriu i tij më i besueshëm.

Megjithatë, ajo që nuk e kanë mësuar serbët, shkruan Tanjug, është se në Uashington është edhe një Bajraktar tjetër që mban pozitë të rëndësishme.

Ylberi, vëllai i Yllit, është drejtor për Politika të Mbrojtjes në Këshillin për Siguri Kombëtare.

Vëllezërit Bajraktari, shqiptarë, nga Prishtina, po ashtu kanë punuar në administratën e ish-presidentit Barack Obama, thekson agjencia serbe e lajmeve.

Në tetor, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është takuar në Shtëpinë e Bardhë me vëllezërit Bajraktari.

Me Ylberin dhe Yllin, Thaçi është njoftuar nga zëvendëspresidenti amerikan, Mike Pence.

“Pas takimit të ngrohtë dhe përmbajtjesor, zv. presidenti Pence me shumë krenari, më tha: ” zoti President, tani do të kem nderin që t’ju njoftoj me dy të rinj me origjinë nga Kosova, Yll dhe Ylber Bajraktarin. Ata punojnë me ne në Shtëpi të Bardhë””, ka treguar Thaçi.

“Sigurisht, m’u bë zemra mal me të arriturat e tyre. Ylli dhe Ylberi, me punë dhe vetëmohim, pa të njofshëm e pa hile, arritën në majat e administratës amerikane”, ka thënë presidenti kosovar.

“Njëkohësisht, kjo flet edhe për zemrën e madhe dhe të hapur të popullit amerikan, e cila, mbi të gjitha, e çmon punën, guximin dhe besnikërinë. Yll dhe Ylber, jam krenar me ju! Ju priftë e mbara gjithmonë”, është shprehur Thaçi. /Express/