Daçiç nuk beson se Greqia do ta njohë Kosovën

E publikuar: 15/08/2015 23:36
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri serb i Punëve të Jashtme Ivica Daçiq ka deklaruar se Aleksis Tziparas gjatë vjeshtës do ta vizitojë Beogradin dhe ka mohuar thëniet në shtypin serb se kryeministri grek nuk dëshiron të vizitojë Serbinë për shkak të deklaratave të Aleksandar Vuçiqit.
“Nëse dikush me pyet a më shumë u besoj gazetave apo syve të mi, gjithmonë do të përcaktohesha për veten, pasi personalisht kam biseduar me Aleksis Tziprasin në Egjipt para një jave”, ka sqaruar Daçiqi për gazetën Politika të Beogradit duke mos përmendur se shkrimet për ftohjet Greqi – Serbi janë bërë pas këtij takimi.

Megjithëkëtë, Daçiq ka këmbëngulur: “Biseda jonë ka qenë shumë e përzemërt, me puthje, me përshëndetje për kryeministrin Vuçiq. E kam pyetur kur do të vijë në Beograd, më ka thënë se do të vijë në vjeshtë”, ka thënë Daçiqi, transmeton Koha.net.

“Kemi biseduar edhe që unë të shkoj në vizitë zyrtare në Greqi gjatë tetorit, kështu që nuk shoh që në gjithë këtë të ketë problem”, ka thënë ai.

“Po flitet se kryeministri grek është i hidhëruar në Vuçiqin ose në mua… Vetë më tha që ta përshëndes kryeministrin Vuçiq, se ka folur me të para dy muajsh. Këtë e kam folur personalisht me të”, ka sqaruar Daçiq.

Gjatë kësaj jave nëpër medie të Beogradit dhe në ato greke ka pasur disa shkrime për mundësinë e ndryshimit të qëndrimit të Greqisë për pavarësinë e Kosovës.