Eksperti i Integrimeve Europiane, Fatmir Curri, ka deklaruar në Info Magazine të Klan Kosovës se Marrëveshja për Stabilizim Asociimin është hapi i parë domethënës në drejtim të Bashkimit Eurpoian.
Por, sipas Currit, megjithatë ky nënshkrim nuk është historik, sepse ai prapëseprapë nuk e zgjidhë sovranitetin e Kosovës.
“Nuk do ta quaja historike. Ka mjaft të përbashkëta me MSA-të e vendeve të tjera të rajonit. MSA-ja nuk e zgjidh sovranitetin e Kosovës, ajo është nënshkruar me fusnotën si shoqëruese”.
“Ne e kemi kritikuar që disa vite pranimin e fusnotës në takime regjionale. MSA-ja nuk ka qenë e mundur të bëhej pa fusnotë. Vendet anëtare dhe 5-ja mosnjohëse e Kosovës janë rehat me këtë. Pa këto pesë njohje nuk mund të avancojmë seriozisht drejt integrimit”.
Curri po ashtu tha se MSA-ja kushtëzon raportet me Serbinë.
“Neni 13 dhe 15 është kushtëzuar për marrëdhënie të mira me Serbinë. Nuk dua të them që rruga e Kosovës drejt BE-së kalon nëpër Beograd, por ashtu po duket”.
“Të dyja shtetet janë pajtuar për mosbllokim të procesit”.
“Është e dëmshme që në vazhdim të këtij neni thuhet se nëse Kosova nuk pajtohet në të ardhmen për një marrëdhënie të mirë bilaterale me Serbinë marrëveshja e MSA-së mund të shkëputet unilateralisht nga BE-ja”.


















