CSU e Gjermanisë kërkon kthimin e regjimit të vizave për Ballkanin

E publikuar: 26/07/2015 19:35
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Bashkimi Evropian duhet të ndalojë regjimin e liberalizimit të vizave me shtetet e Ballkanit, ka thënë të dielën kreu i Unionit Kristian-Social (CSU) në Bavaria, Horst Seehofer.
“Them që duhet të kthejmë regjimin e vizave për personat që vijnë nga Ballkani… Është e paqartë përse pranojmë njerëz nga Ballkani e të cilët kërkojnë azil”, ka thënë Seehofer për gazetën gjermane “Welt am Sonntag”, transmeton Koha.net.

Ai shton se Gjermania duhet të ul beneficionet për azilkërkuesit që vijnë nga vende të sigurta.

Sipas Zyrës Federale për Migrim dhe Refugjatë, Serbia, Kosova, Maqedonia, Bosnja dhe Shqipëria janë në mesin e top-10 nacionaliteteve që kanë kërkuar azil në Gjermani më 2014, duke kaluar shifrën mbi 60 mijë aplikuesve.

Të hënën, shtetet anëtare të BE-së arritën një marrëveshje për shpërndarjen e rreth 55 mijë azilkërkuesve nga Lindja e Mesme dhe Afrika.

Partia CSU bën pjesë në koalicionin e tri partive gjermane – së bashku me CDU-në dhe Social-Demokratët – që përbëjnë qeverinë aktuale të Gjermanisë, të drejtuar nga Angela Merkel.