Johan Cruyff po kalon ndoshta një nga momentet më të vështira të jetës së tij por mbështetja që i kanë dhënë mediat, tifozët, miqtë dhe familja po e ndihmon që të luftojë sëmundjen e rëndë.
“Mbështetja e mediave më ka ngrohur zemrën dhe më ka emocionuar. Është një sinjal shumë i fuqishëm që mbështet gjithashtu gjithë të sëmurët me kancer. Futbolli dhe tifozët treguan anën më të mirë”.
Sëmundja është një kundërshtar të cilin nuk mund ta evitosh. Në fushën e lojës, ish sulmuesi ka fituar shumë beteja duke u bërë një nga legjendat e kësaj loje, por këtë herë situata ndryshon edhe pse ai nuk është i vetëm në këtë betejë.
“Mua nuk më mbetet gjë tjetër veçse të pres. Di vetëm që jam i sëmurë në mushkëri por duhet ende të kaloj edhe shumë teste. Mund të them se di emrin por jo mbiemrin e sëmundjes”.
Në intervistën e parë që dha pas diagnostikimit, Cruyff nuk kursehet me një këshillë edhe për momentin negativ që po kalon futbolli holandez.
“Situata nuk është e mirë sepse në pjesën më të madhe të ndeshjeve në Holandë lojtarët nuk dinë si të kontrollojnë një ndeshje. Në fushë vrapon lojtari që ka topin dhe jo ata që e rrethojnë dhe nuk duhet të jetë kështu”.